Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se i qëndron prapa deklaratave që ka dhënë para se të vinte në pushtet për “luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit pa asnjë koncesion apo kompromis”, por në audio incizimin që publikoi VOX Kosova, tregohet se si Kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi, bashkë me Kurtin, kanë kurdisur një konkurs pune në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në kohë zgjedhjesh.

Madje, Prokuroria Speciale ka nisur hetimet lidhur me raportimin e VOX-it.

Audio-incizimi është realizuar në një odë në Obiliq, mes datave 12 tetor e 9 nëntor 2025, në periudhën e balotazhit në Obiliq, ku Thaçi përballej me Xhafer Gashin.

Aty, Thaçi u tregon votuesve potencialë të vet se si në balotazhin e parë, atë të vitit 2021, Kryeministri Kurti, me qëllimin që t’ia fitojë zgjedhjet Vetëvendosjes në Obiliq, kishte ndikuar të hapej konkurs për 150 vende pune në Korporatën Energjetike të Kosovës.

“Kur i hupum zgjedhjet në 2021-ën në balotazh e çeli Albini konkursin në balotazh. Edhe më tha, Halil, po e çelim qit konkurs, tha, edhe, hupe – fitove, rriju në fjalë njerëzve. Unë po të tham, nëse të pengon dikush, më thirr mu. Kjo për mu ish fitore. Se me ja kthy Obiliqit  me 100 vetë të punësum, qatë garën që e bojsha unë, e ndjejsha njëfarë lehtësie që kam ba diçka. Edhe me thanë të drejtën, unë për katër vjet, kam mendu thojsha nja 200 vetë të Obiliqit i shtina në punë, e po din…janë boll. Edhe në rregull”, thotë Thaçi ndër të tjera.