Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka asnjë emergjencë apo top prioritet për Projektligjin për Dhomat e Specializuara, ndonëse kjo është kërkesa kryesore e protestueseve, të cilët që më shumë se dy javë janë duke protestuar kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, Kurti deklaroi se duhet bashkërendim me ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së për çfarëdo veprimi.

“Deklarata e miratuar me 99 vota për në Kuvendin e Republikës është hapi i parë i përbashkët që më shumë se sa që krijon efekt juridik, është shprehje e vullnetit të popullit nëpërmjet të zgjedhurve të tij”, tha Kurti.

“Andaj, mirëpres dhe përshëndes këtë hap fillestar, teksa thërras në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet subjekteve politike parlamentare për këtë çështje të interesit shtetëror duke bashkërenduar me kujdes veprimet me ekipet mbrojtëse sikurse edhe me ekspertë të fushës, ashtu që të mos gjendemi në situata ku vendimet tona do të mund të përdoreshin si rëndesë ose dëm në dëm pra të katërshes Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi”, shtoi ai.

Si Kryeministër dhe Qeveri, ai theksoi se do të bëjnë “gjithë çfarë dijmë e mundemi për korrigjimin e këtij aktgjykimi kur të vijë Apeli”.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale dënoi krerët e UÇK-së me rreth 1 shekull burgim.

Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet, Jakup Krasniqi po ashtu me 25, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.

Që nga dita e shpalljes së aktgjykimit, shqiptarët kanë protestuar vazhdimisht. Përveç në Kosovë, protesta janë mbajtur edhe në vendet e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri në Australi.