Një projekt elektoral, që Albin Kurti e prezantonte në kohë fushate nga zyrat e Qeverisë: themelimi i Xhandarmërisë, u përmend edhe në 27-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës.
Aty, Kurti ndër kompetencat që ia përmendi Xhandarmërisë ishte edhe “sigurimi i vijës ajrore të Republikës së Kosovës”.
Por, çka thotë Kurti, në realitet gjendja është krejt tjetër.
KFOR-i, që është përgjegjës për sigurinë ajrore të Kosovës, ka vazhduar të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me shtete, pikërisht sa i përket kësaj çështjeje.
Sipas një njoftimi nga KFOR-i, ky mision dhe Islanda “nënshkruan në Reykjavik një Marrëveshje për zgjatjen e bashkëpunimit, duke vazhduar bashkëpunimin e tyre për hapësirën ajrore mbi Kosovë deri më 31 dhjetor 2028”.
“Marrëveshja për Zgjatjen e Bashkëpunimit siguron vazhdimin e partneritetit ndërmjet KFOR-it dhe Qeverisë së Islandës, e cila vepron përmes Autoritetit Islandez të Transportit (ICETRA), me synim lehtësimin e hapjes së linjave të reja komerciale në hapësirën e ulët ajrore mbi Kosovë. Marrëveshja bazohet në bashkëpunimin afatgjatë ndërmjet KFOR-it dhe Islandës, duke kontribuar në përpjekjet e vazhdueshme për të siguruar përdorimin e sigurt dhe efikas të hapësirës së ulët ajrore mbi Kosovë”, thuhet në një njoftim.
E të shtunën, Kurti fliste sikur gjithçka është e qartë dhe se Xhandarmëria do ta marrë përsipër shumë lehtë menaxhimin e hapësirës ajrore.
“Themelimi i Xhandarmërisë shërben edhe si siguresë shtesë për beteja të përbashkëta, ku ajo do të ketë mandat të qartë: sigurimin e vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore në tërë territorin e Republikës së Kosovës; operacione kundër grupeve terroriste dhe të armatosura, përfshirë ato me karakter paraushtarak; parandalimin dhe luftimin e të gjitha llojeve të kontrabandës ndërkufitare dhe menaxhimin e situatave të rrezikut të lartë e sigurimin e infrastrukturës kritike”, ka deklaruar Kurti në ceremoninë për shënimin e përvjetorit të themelimit të policisë.
Iniciativa për themelimin e një trupe të tillë, në kohë zgjedhjesh, duket të jetë një përpjekje e Vetëvendosjes për të marrë më shumë kontroll politik në sektorin e sigurisë.









