“Nuk është provuar asnjë veprim i kundërligjshëm nga ana ime. Kjo nuk është çështje interpretimi, kjo është çështje fakti”, ka thënë ish-Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, gjatë fjalës përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së në Hagë.

“Unë e di çfarë do të thotë të jesh i pambrojtur. E di çfarë do të thotë të jetosh nën kërcënim të vazhdueshëm. Kjo është një përvojë që nuk ia dëshiroj askujt, por më mësoj edhe një të vërtetë thelbësore: në padrejtësi njeriu duhet të ruajë integritetin moral dhe vlerat themelore humane”, tha Veseli.

“Disa mund të pyesin a janë vetëm fjalë këto, apo janë pasqyruar edhe në jetën dhe veprimet e mia. Përgjigja ime sot është e qartë, jo vetëm në fjalët e mia, por mbi të gjitha në provat e paraqitura para kësaj gjykate. Pas dekadash hetimesh, dokumentesh dhe dëshmi të panumërta nuk ka asnjë provë që të tregojë se kam kryer ndonjë krim”, shtoi ai.