Sot (e hënë, 18 shkurt), ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do t’i paraqesin qëndrimet finale në ditën e fundit të fjalëve përfundimtare të palëve në procesin gjyqësor ndaj tyre në Hagë, ku po akuzohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.
Ish-Drejtori i Drejtorisë Politike të UÇK-së, Hashim Thaçi, ish-Shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli, ish-Inspektori i Përgjithshëm i UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, do t’i kenë nga 20 minuta në dispozicion.
Para krerëve të UÇK-së, fillimisht do të flasë mbrojtësi i viktimave pasi që ka kërkuar 20 minuta kohë për parashtrimet e fundit, më pas pritet që ekipet mbrojtëse t’i drejtohen trupit gjykues edhe për 30 minuta dhe tani radha e Thaçit e të tjerëve.
Pas kësaj, trupi gjykues ka 90 ditë kohë të tërhiqet për vendimin përfundimtar ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Fjalët përfundimtare të palëve kanë nisur nga e hëna e 9 shkurtit. Fillimisht qëndrimet përfundimtare i paraqiti Prokuroria, e cila kërkoi nga 45 vjet burg për secilin nga krerët e UÇK-së – gjë që u kundërshtua ashpër edhe nga krerët e institucioneve në Kosovë e Shqipëri – e më pas mbrojtësi i viktimave.
Pas tij, fjalën përfundimtare e ka paraqitur edhe mbrojtja e Hashim Thaçit, ajo e Kadri Veselit dhe ajo e Rexhep Selimit. Ajo e Jakup Krasniqit filloi të premten dhe përfundoi të premten, më 16 shkurt.
Më pas, trupi gjykues vazhdoi për dy orë parashtrimin e pyetjeve për palët dhe më vonë edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Paraqitja e fjalëve përfundimtare nga katërshja e UÇK-së vjen një ditë pasi që në Prishtinë u mbajt protesta më e madhe në Kosovën e pasluftës, pikërisht në mbrojtje të tyre. Qindra-mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet kërkuan drejtësi për krerët e UÇK-së.
Pjesë e protestës ishte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, djali i Hashim Thaçit, Endrit Thaçi, Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, e aktorë të tjerë politikë dhe jo vetëm.
Sipas organizatorëve, në protestën e 17 shkurtit morën pjesë mbi 130 mijë njerëz, derisa theksuan se shumë të tjerëve iu pamundësua ardhja për shkak të bllokimit të trafikut.
Kundër procesit gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së janë zhvilluar edhe disa protesta të tjera – në Prishtinë, Tiranë, Hagë, Strasburg e Shkup – të cilat janë organizuar nga Organizata e Veteranëve të dalë nga Lufta e UÇK-së.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020. Ata akuzohen nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Për këto akuza, ata janë deklaruar plotësisht të pafajshëm.
Procesi gjyqësor ndaj tyre filloi në prill të vitit 2023 – më shumë se tri vjet pas arrestimit. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), më 16 prill të 2025-s, njoftoi se kishte mbyllur paraqitjen e provave ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Gjatë kësaj kohe, pak më shumë se dy vjet, ZPS-ja thirri 125 dëshmitarë dhe paraqiti afër 3 mijë prova materiale.









