72.1 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë qëndrim negativ për Gjykatën Speciale. 83.5 për qind e qytetarëve e konsiderojnë të padrejtë aktgjykimin dënues të Speciales për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këto të dhëna janë publikuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, pasi që ka zhvilluar një anketë për qëndrimet e qytetarëve të Kosovës lidhur me Dhomat e Specializuara.

1 mijë e 139 persona janë anketuar nga të gjitha komunat e Kosovës.

Sipas anketës, 81.7 për qind e qytetarëve e kundërshtojnë pretendimin e Speciales për të folur në emër të popullit të Kosovës.

Tre në katër të anketuar, apo 74 për qind, thonë se Kosova duhet t’i shfuqizojë Dhomat e Specializuara, ndërsa 78 për qind i mbështesin protestat që pasuan pas aktgjykimit.

Te shqiptarët e Kosovës, kundërshtimi thuhet se është edhe më i madh dhe më i vendosur.

87.7 për qind e të anketuarve e konsiderojnë aktgjykimin të padrejtë, 88.7 për qind e kundërshtojnë pretendimin e gjykatës për të folur në emër të popullit dhe 80.2 për qind mbështesin shfuqizimin e saj.

“Meqë kemi punuar me të dhënat individuale të të anketuarve, kemi mundur të shohim përtej këtyre shifrave kryesore, por përpiqemi të ofrojmë më shumë kontekst në pjesët në vijim. Sipas nesh, veçohen dy gjetje. Së pari, kundërshtimi i drejtohet kësaj gjykate, e jo drejtësisë në përgjithësi. Ajo që mund të konstatojmë është se të anketuarit shqiptarë të Kosovës që kanë besim në gjykatat e vendit janë pothuajse po aq kritikë ndaj Dhomave të Specializuara sa edhe ata që nuk kanë besim në to”, thuhet në raport.

Në mesin e shqiptarëve të Kosovës që besojnë se katër udhëheqësit zhvilluan një luftë të drejtë, 94.7 për qind e konsiderojnë aktgjykimin të padrejtë.

“Megjithatë, edhe në mesin e grupit të vogël që nuk mendon kështu, 59.4% e kundërshtojnë legjitimitetin e gjykatës për të folur në emër të popullit dhe 53.1% mbështesin shfuqizimin e saj”.

“Me fjalë të tjera, kosovarët nuk po e kundërshtojnë thjesht llogaridhënien. Ata po kundërshtojnë një institucion të caktuar për shkak të mënyrës se si u krijua, si funksionon, çfarë përjashton dhe çfarë kuptimi shoqëror e historik kanë marrë procedurat e tij”.

Respondentët serbë të Kosovës paraqesin një pamje tjetër, e cila, siç vlerësohet në raport, ndikohet edhe nga përkatësia gjeografike brenda Kosovës.

“Në jug të lumit Ibër, të anketuarit (83%) e konsiderojnë aktgjykimin të drejtë. Në katër komunat në veri, 72.5% e cilësojnë atë të padrejtë, ndërsa pothuajse të gjithë kanë zgjedhur përgjigjen ‘nuk e di/nuk kam mendim’ në pyetjet për vetë institucionin. Të dhënat nuk tregojnë nëse të anketuarit e kanë konsideruar aktgjykimin të padrejtë sepse kanë menduar se ai ishte tepër i butë, ndërsa numri i të anketuarve në këto grupe është i vogël”.