Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, verdiktin e kësaj së mërkure të Gjykatës Kushtetuese, e ka quajtur “vërtetim të qëndrimeve” që partia e tij ka mbajtur gjatë gjithë kohës.
Ai thotë se katër janë konstatimet kryesore nga ky verdikt, pjesë e së cilave është edhe fakti se Kuvendi ka vetëm 13 ditë kohë për të miratuar ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale dhe për ta zgjedhur Kryetarin e Shtetit në atë formë që të shmangen zgjedhjet e reja.
“Koha është e kufizuar dhe përgjegjësia tashmë është e qartë”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë dhe pa ndërhyrje i Grudës:
Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese ka vërtetuar qëndrimet që PDK-ja i ka mbajtur vazhdimisht gjatë gjithë kësaj kohe:
1. Kushtetuta është shkelur duke mos u konstituuar Kuvendi brenda afatit 30-ditor.
2. Afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor. Pra, LVV-ja nuk mund t’i zhvendosë afatet kushtetuese sipas interesit të saj politik dhe ta shtyjë vendin drejt zgjedhjeve më 27 dhjetor, siç ka synuar.
3. Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së duhet të zgjidhet. Kjo pozitë nuk mund të anashkalohet apo të mbetet peng i vullnetit të shumicës parlamentare.
4. Tani kemi vetëm 13 ditë kohë për të vepruar: për t’i miratuar ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, për ta zgjedhur Presidentin e Republikës dhe për t’i shmangur zgjedhjet e reja. Koha është e kufizuar dhe përgjegjësia tashmë është e qartë.
Vendimi i sotëm konfirmon një parim themelor: afatet kushtetuese nuk janë çështje vullneti politik dhe Kushtetuta nuk mund të përshtatet sipas interesave të momentit.









