“Referendumi demokratik kaloi”, kanë thënë nga Lëvizja Vetëvendosje pas fitores me mbi 50 për qind në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

“Vullneti politik i qytetarëve është i qartë, fitorja elektorale është plebishitare, referendumi demokratik kaloi”, kanë thënë nga VV-ja në një postim në Facebook.

Ata kanë përmendur faktin se së bashku me partnerët e tyre janë të parët në 24 komuna të Kosovës dhe në secilën komunë kanë shënuar rritje të votave krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Fitore e jashtëzakonshme po shënohet edhe në votën nga mërgata. Ju faleminderit për mbështetjen. Urime fitorja historike!”, theksuan nga VV.

Sipas rezultateve të deritanishme, VV ka marrë 50.26 për qind, e dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 20.62 për qind, e treta Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.40 për qind, dhe e katërta Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.58 për qind.