Kryetari i rizgjedhur i Ferizajt nga radhët e PDK-së, Agim Aliu, ka uruar Ramiz Lladrovcin për fitoren pa balotazh në Drenas. Madje, Aliu, ka thënë se Lladrovci është “aset” i PDK-së, ndonëse kësaj radhe ai e mposhti pikërisht këtë parti.

“E uroj zoti Lladrovcin për fitoren e tij dhe i dëshiroj shëndet e mbarësi në punë”, tha Aliu në një intervistë për T7.

Lladrovci në zgjedhjet e së dielës garoi dhe fitoi me iniciativë qytetare, pasi që kryesia e PDK-së nuk e lejoi që të rikandidojë edhe për një mandat si Kryetar i Drenasit. Ata e kandiduan Petrit Hajdarin.

Lladrovci gjatë gjithë fushatës ka thënë se është pjesë e PDK-së dhe pas fitores do të rikthehet si Kryetar i degës së kësaj partie në Drenas. Në këtë drejtim, Aliu ka përmendur deklaratat e tij dhe ka thënë se ai është “aset” i PDK-së.

“Sigurisht se edhe vet deklaratat e tij gjatë gjithë fushatës kanë qenë se ai mbetet me Partinë Demokratike dhe do të jetë pjesë edhe aset i PDK-së dhe sigurisht se me një urtësi dhe me një qasje ndërvepruese unë po besoj se do të vazhdojë aktiviteti në mënyrë që Drenasi po edhe qytetarët e Drenasit, por edhe PDK të jetë e fuqishme ashtu siç ka qenë gjithmonë në Drenas dhe në Drenicë në përgjithësi”, shtoi Aliu.