Publicisti Blerim Shala, ka treguar se si, jo vetëm muzika e filmi, por edhe futbolli e sporti në përgjithësi ishin kthyer në vepra rezistence nga shqiptarët e Kosovës gjatë kohës së regjimit të ish-Jugosllavisë. Ai ka rrëfyer se si klubi i Prishtinës ishte ngjitur në maja të futbollit dhe krenarinë që kjo arritje ia kishte sjellë shqiptarëve.

“Është një episod ndoshta interesant për ty. Në ndeshjen e parë ose të dytë të sezonit pranveror, bora mbulon terrenin e Prishtinës edhe nuk ka mjete për me e pastru borën, se ishte ekip akoma modest. Dhe ne mund ta humbshim atë ndeshje. Por, tash spikeri i thërret adhuruesit, gjegjësisht tifozët, të hyjnë në stadium brenda, në terren, ta pastrojnë borën. Ata hynë edhe me duar dhe këmbë, me gjithçka, e pastrojnë për 10 minuta. Dhe ne e fituam atë ndeshje dhe e fituam edhe kampionatin edhe hymë në ligën e parë të futbollit”, rrëfeu Shala.

“Ishte ngjarje puro politike. Nuk ishte si me Trepçën në vitet e ’70. Tash ishte një lloj demonstrimi i fuqisë. Qoftë edhe në sport. Edhe futbollin si sporti më i popullarizuar”.

Ka qenë një ndjenjë krenarie”, thekson ai, “të shkosh edhe të shohësh se si Prishtina po luan shumë mirë futboll, edhe po fiton”.

Kënga që i ka përcjellë, tregon ai, në çdo ndeshje ka qenë “Besa-besë, besën ta kam dhanë, për Prishtinë jetën dua me dhanë”. “Ka pasë karakter puro politik. Puro politik”.

“Pastaj, u patë transformu “Besa-besë, besën ta kam dhanë, për Kosovë jetën dua me dhanë”, deri në vitet e luftës. Aty ka qenë prej fillimit ajo”.

“Pra, ishte këngë puro politike. Sentimetet ishin puro politike. Disponimi ishte masiv. I vetmi vend ku na lejohej tubimi Lirim. Tre vetë me u grumbullu dikund, ishte problem mos po bëjnë demonstratë si në ’81. Tash përnjëherë…”.

Shala tregoi se si stadiumi i futbollit ka qenë i vetmi vend ku mund të grumbulloheshin në atë kohë.

“Ka pasë orë policore. Ka pasë grumbullime të ndalume, absolutisht, do të thotë pos në ndeshje sportive. Po kjo ka qenë, stadiumi i futbollit ka qenë i vetmi ku kemi mujtë të grumbulloheshim dhjetëra-mijëra vetë. Edhe të zbrazen. Ka qenë një zbrazje e gjithë neve ndaj asaj padrejtësie që na bëhej”.

“Ishte një zbrazje mllefi që grumbullohej për çdo ditë të lume. Tash njëherë në dy javë së paku, kishim mundësi të shkonim aty, të anonim për Prishtinën dhe të fitonim dhe ta merrnim statusin e një elementi të barabartë në atë ligën e futbollit të ish-Jugosllavisë. Jugosllavisë së atëhershme më fal”.