Me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të së dielës, sipas Kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, zgjidhet ngërci institucional, por thotë se ka frikë se nuk zgjidhen problemet e shqetësimet e qytetarëve. Me këtë rezultat, Kosova, në gjykimin e tij, “do të dobësohet në planin e brendshëm e të jashtëm e do të fitojnë armiqtë e saj”.
Me 99.65 për qind të votave të numëruara, VV-ja ka fituar zgjedhjet parlamentare me 49.30 për qind. E dyta renditet PDK-ja me 21 për qind, e treta LDK-ja me 13.57 për qind dhe e katërta AAK-ja e Haradinajt me 6.68 për qind.
Rezultati është ky që është, thekson kreu i AAK-së dhe “ne do ta respektojmë votën e qytetarit, por dhe do të reflektojmë për proceset tona të brendshme”. “Për ne zgjedhjet do të përfundojnë këtë pranverë, me zgjedhjet brenda Aleancës në të gjitha nivelet dhe me ringritjen tonë”, potencoi ai në Facebook.
“Nga zemra i falënderoj të gjithë votuesit, aktivistët e AAK-së dhe gjithë të tjerët nga çdo cilësi e përkatësi e posaçërisht kolegët nga Lista 129 me të cilët kemi garuar në një betejë aspak të lehtë e në kohë të papërshtatshme”, shtoi ai.









