“Gjykim të bazuar në fakte e prova”, ka kërkuar Partia Demokratike e Kosovës për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin. Në një deklaratë për media të lëshuar sot(e premte, 16 janar) PDK thotë se në këtë “fazë përmbyllëse, procesi i shoqëruar me problematika serioze, duhet të përmbyllet me drejtësi”.
“Ky proces është karakterizuar me zvarritje të panevojshme, paqartësi procedurale dhe vendime që kanë ngritur shqetësime të vazhdueshme mbi standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Këto rrethana kanë cenuar perceptimin e drejtësisë së barabartë dhe kanë rënduar padrejtësisht mbi çlirimtarët dhe ish-udhëheqësit e shtetit tonë, të cilët tashmë kanë kaluar një periudhë të gjatë në paraburgim”, thotë PDK.
Sipas PDK-së, “dëshmitarët kyç në këtë proces gjyqësor kanë hedhur poshtë në mënyrë të qartë pretendimet kryesore të aktakuzës, duke rrëzuar çdo dyshim mbi fajësi individuale, grupore apo komanduese”.
Gjykata Speciale ka njoftuar se nga 09 deri më 18 shkurt do të jepen fjalët përfundimtare nga palët në rastin “06”, ku ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit rëndojnë 10 akuza.
Brenda një periudhe prej 90 ditësh pas përfundimit të kësaj faze pritet të shpallet edhe aktgjykimi.