Në fazën përmbyllëse të procesit gjyqësor në Hagë, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se për më shumë se pesë vjet janë rrëzuar një nga një të gjitha akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Kryetari Hamza ka deklaruar se gjatë gjithë këtij procesi, çlirimtarët, ekipet e tyre mbrojtëse si dhe dëshmitarët kryesorë kanë qëndruar me dinjitet dhe kanë paraqitur argumente të fuqishme, duke dëshmuar të vërtetën historike të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
“Tashmë pritet që drejtësia, në mënyrë të paanshme dhe të pandikuar, të marrë vendimin e saj përfundimtar”, ka theksuar Hamza, duke shtuar se ekziston bindje e plotë në pafajësinë e Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Sipas tij, ky proces tejkalon dimensionin juridik dhe përbën një provë të rëndësishme të ndërgjegjes ndërkombëtare ndaj së vërtetës dhe drejtësisë.
“Në fund, besimi ynë është i palëkundur, sepse besojmë në të vërtetën historike dhe në luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi” ka përfunduar Hamza.
Në mesazhin e tij, ai ka theksuar se Kosova beson dhe ka përsëritur thirrjen: Liri për çlirimtarët!









