Partia Demokratike e Kosovës së bashku me Aleancën sërish kanë protestuar para objektit të Qeverisë duke kërkuar nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, konstituimin e Kuvendit. Ata e quajtën Kurtin edhe “uzurpator” të institucioneve.

Të enjten, këtij aksioni u janë bashkuar edhe asamblistët e PDK-së në Shtime dhe Fushë Kosovë.

Artan Behrami, deputet i PDK-së, tha se Kurti po i fshehët përgjegjësisë, derisa theksoi se fshehja për të është “doktrinë politike”.

“Sot Albin Kurti, ashtu siç e ka edhe traditë edhe në doktrinën e tij politike, sërish po fshihet, sërish iku përmes rrugëve ilegale, klandestine, duke hyrë në ndërtesën e Qeverisë. Dhe fshehja është doktrinë e tij politike, Albin Kurti është fshehë në Rambuje, kur ne theksuam nënshkrimin e lirisë sonë, Albin Kurti është fshehë në Vjenë kur ne e negocionim pavarësinë tonë, Albin Kurti është fshehë, në ditën kur flamuri jonë u prezantua në Kuvend, Albin Kurti u fsheh në ditën e shpalljes së Pavarësisë, u fsheh në ditën kur Kosova e intonoi himnin e tij, u fsheh në ditën e ushtrisë, pra i shkoi jeta duke u fshehur nga përgjegjësia që ka edhe me Kushtetutë edhe me ligj”, tha ai.

Deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, i bëri thirrje Kurtit dhe VV-së që të shkojnë në seancën konstituive.

“Sot jemi këtu prapë para Qeverisë, për ta thirrur Albin Kurtin të vijë t’i bëjë institucionet. Ne e dimë që është brenda. Ne e pamë që prapë, po i kemi votat për konstituimin e Kuvendit, atëherë i bëjmë thirrje edhe një herë të vijë, ta bëjë konstituimin dhe pastaj të vazhdojë për zgjedhjen e Presidentit”, potencoi ajo.