Ka filluar takimi në mes të Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Takimi është duke u zhvilluar në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Abdixhiku në takim ka shkuar bashkë me ish-Presidenten Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e 7 qershorit ishte bartëse e listës së LDK-së dhe kandidate për Presidente nga radhët e kësaj partie. Ndërsa, Kurti shoqërohet nga Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
“Unë jam optimist sepse e kam vullnetin e mirë, dhe interesin publik, që do të thotë t’i konstituojmë institucionet, t’i evitojmë zgjedhjet e reja dhe në këtë mënyrë të fillojmë të qeverisim përsëri mbarë e mirë sepse kemi shumë projekte për gjysmë dhe të reja që do të vijnë”, tha Kurti para hyrjes në Kuvend kur u pyet nëse është optimist për ndonjë marrëveshje me LDK-në.
Nga ana tjetër, Abdixhiku nuk foli për media. Tha se këtë do ta bëjë pas takimit.
Para Abdixhikut e Osmanit, Kurti u takua mëngjesin e së premtes me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Në takim, Kurti tha se nuk pati asnjë rezultat. “Aktualisht nuk mund të them që kemi ndonjë rezultat konkret, ndonjë të arritur që do të mund ta ndaja me publikun”, deklaroi ai për gazetarë.
Hamza nga ana tjetër theksoi se partia që ai drejton do të qëndrojë në opozitë, derisa i uroi suksese Kurtit në qeverisje.
“Bazuar në diskutimet që i kemi pasë, qëndrimi jonë është që PDK për këtë mandat është parti në opozitë dhe ne i dëshirojmë sukses zotit Kurti dhe të gjithë atyre që takohen të bisedojnë t’i jepin vendit institucione”, tha Hamza.
Këto takime të Kurtit me liderët e partive opozitare vijnë pas certifikimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.
Diskutimet janë duke u përqendruar për çështjen e Presidentit, duke qenë se për Qeveri nga Vetëvendosje kanë thënë se i kanë numrat.
Ftesë për takim ka pasur edhe lideri i Aleancës, Ardian Gjini, mirëpo ai e ka refuzuar, duke thënë se nëse Kurti i përmbush gjashtë kushtet që ata i kanë prezantuar – pranimi i projektit të gazit amerikan njëra ndër to – atëherë do të qëndrojnë në sallë për t’ia bërë kuorumin.









