Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shkarkuar nga detyra Shefin e Misionit të Kosovës në Vatikan, Vehbi Miftarin.

Lajmi është konfirmuar nga vetë ambasadori Miftari, përmes një postimi në Facebook, të enjten.

“Ju njoftoj se këto ditë kam pranuar dekretin e U.D. Presidentes Haxhiu për lirim nga detyra e shefit të Misionit në Selinë e Shenjtë. Ky dekret shënon përfundimin e mandatit tim në Vatikan. Sigurisht, jo angazhimin tim për Republikën, së cilës i kam shërbyer çdo herë me përkushtim, pa kërkuar kurrë shpagim”, ka shkruar Miftari.

Ai theksoi se ka qenë “nderi jetësor që më është bërë, duke qenë i pari shef i Misionit në Vatikan”. “Sot, kthehem i lumtur që jo vetëm misioni, por edhe marrëdhëniet janë të konsoliduara plotësisht”.

Miftari falënderoi ish-Presidenten Vjosa Osmanin për besimin që ia ka dhënë për ta përfaqësuar Kosovën në Selinë e Shenjtë.

“Kanë qenë dy vjet plot angazhim e sfida të njëpasnjëshme, ndonjëherë të pakuptimta, me më shumë a më pak përkrahje, por të bukura e frytdhënëse, gjithsesi”, shtoi ai.

Pasi që kishte njoftuar hapjen e Misionit të Posaçëm të Kosovës në Vatikan, Osmani në janar të vitit 2024, kishte emëruar Miftarin në krye të këtij misioni.