Bedri Hamza ka shpallur edhe zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës.
Ish-kryetari i Mitrovicës dhe kandidati për kryeministër i PDK-së në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, do të dalë të hënën para delegatëve të partisë në konventën për zgjedhjen e kryetarit të ri, e cila do të mbahet të hënën dhe vjen pas dorëheqjes së Memli Krasniqit.
“PDK është familja jonë dhe së bashku do ta hapim kapitullin e ri të fitoreve”, tha ai në një deklaratë të tij.
Ky është postimi i plotë i Hamzës:
Të dashur qytetarë,
Të nderuar anëtarë dhe përkrahës të PDK-së,
Sot, me përgjegjësi dhe besim në të ardhmen e partisë sonë, e shpall kandidaturën time për kryetar të PDK-së.
Unë besoj se PDK-ja ka forcën për t’u unifikuar, reformuar dhe rikthyer si partia kryesore në vend.
Nga lufta për liri, deri te shtetndërtimi, demokratizimi dhe integrimi, PDK-ja ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.
Me mirënjohje të thellë për themeluesit tanë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin, të cilët uroj të jenë së shpejti mes nesh, unë angazhohem për një PDK që ruan vlerat dhe krijon rrugë për gjeneratat e reja.
Falënderim i veçantë edhe për dy miqtë e mi, Enver Hoxhajn dhe Memli Krasniqin, për udhëheqjen e tyre me dinjitet në kohë sfidash.
Tani është koha për një PDK të bashkuar, që lufton për drejtësi, zhvillim dhe një Kosovë evropiane.
PDK është familja jonë dhe së bashku do ta hapim kapitullin e ri të fitoreve.
Ju falënderoj të gjithëve për besimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen!









