Sot (e hënë), nis faza përfundimtare e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Nga sot e deri më 18 shkurt, palët do të paraqesin fjalët përfundimtare.

Fillimisht fjalët përfundimtare do t’i paraqesin Prokuroria e mbrojtësit e viktimave dhe më pas mbrojtja e të akuzuarve.

Në seancën e fundit, më 18 shkurt, krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi – do t’i kenë në dispozicion nga 20 minuta për të dhënë qëndrimet e tyre.

Pas kësaj, trupi gjykues ka 90 ditë kohë të tërhiqet për vendimin përfundimtar.

Që nga 5 nëntori i 2020-s, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen ish-krerët e UÇK-së, të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.