Ardian Gjini është zgjedhur Kryetar i ri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Në këtë pozitë, Gjini do ta zëvendësojë Ramush Haradinajn, i cili ka drejtuar këtë parti që nga themelimi i saj, pra për gati 26 vjet.
Gjini, i cili është Kryetar i Gjakovës dhe kandidat për Kryeministër në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit nga radhët e AAK-së, mori drejtimin e partisë në Kongresin e X (10) Zgjedhor të kësaj partie, që u mbajt të dielën.
Siç kanë njoftuar nga AAK, në votim kanë marrë pjesë 461 delegatë, prej të cilëve 453 votuan për, 2 kundër, 1 abstenoi dhe 5 vota ishin të pavlefshme.
Përveç Kryetarit, AAK, në ndryshimet statutare që i ka bërë, e ka ndërruar edhe emrin e partisë, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Aleanca.
Kryetari i deritanishëm, Ramush Haradinaj, është zgjedhur Kryetar Nderi, ndërsa njoftojnë se kanë zgjedhur edhe Këshillin e Nderit.
“Po ashtu, u zgjodh edhe Këshilli i Përgjithshëm, me përbërje prej 106 anëtarësh. Përbërjes së Këshillit të Përgjithshëm do t’i shtohet edhe Kryesia e re pas konstituimit, si dhe 3 përfaqësues nga diaspora që kanë marrë më së shumti vota në Kuvend”, thuhet në njoftim.
Me zgjedhjen e Kryetarit të ri, AAK ka përmbyllur procesin e brendshëm zgjedhor, i cili nisi më 12 shkurt. “Ky proces dëshmoi organizimin, unitetin dhe përkushtimin e strukturave tona në çdo nivel”.
“Suksese kryetarit të ri, Ardian Gjini, dhe të gjithë të zgjedhurve në përgjegjësitë e reja, në shërbim të forcimit të Aleancës dhe angazhimit për Kosovën”, thanë ndër të tjera nga AAK.
Haradinaj si Kryetar i AAK-së ka qenë Kryeministër i Kosovës dy herë në kohë të ndryshme. Fillimisht nga 3 dhjetori i 2004-së deri më 8 mars 2005, dhe më pas nga 9 shtatori i 2017 deri më 3 shkurt 2020.









