Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është vërshuar nga komentet e fermerëve në çdo postim të saj, të cilët po kërkojnë ekzekutimin e pagesave për subvencione.
Ndonëse për shumë kultura bujqësore tashmë ka përfunduar mbjellja, korrja apo vjelja dhe fermerët e të gjithë nënsektorëve të bujqësisë po bëjnë planifikimet për vitin e ardhshëm, vështirësitë sërish po ua shton Ministria.
Kjo po ndodh në një kohë kur fermerët po përballen edhe me rritjen e madhe të çmimeve të naftës dhe të produkteve të tjera të nevojshme për punët bujqësore, shkruan VOX Kosova.
“Fermerëve nuk u duhen vetëm rekomandime, por mbështetje me kohë! Jemi në prag të mbjelljes së grurit, ndërsa subvencionet ende nuk janë ekzekutuar. Nafta ka arritur në 1.90 €/litër, kurse farërat, plehrat dhe punimi i tokës po kushtojnë gjithnjë e më shumë. Si mund të kërkohet prodhim i lartë nga fermerët, kur mbështetja vonohet dhe shpenzimet rriten çdo ditë?”, ka shkruar Ali Rexhepi në komentin e tij në faqen e Ministrisë.

Ka edhe nga ata që kërkojnë protesta për gjendjen në bujqësi dhe për atë që e konsiderojnë mospërfillje të shtetit ndaj fermerëve.
“Fermerët duhet të ngrihen dhe të protestojnë për të drejtat që u takojnë! Me këto çmime të naftës dhe të plehrave kimike, bujqësia po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe shumë fermerë nuk po arrijnë më t’i mbulojnë as shpenzimet. E kur kësaj gjendjeje i shtohet edhe moskryerja e pagesave nga ana e Ministrisë, atëherë fermerët mbesin pa mundësi për të vazhduar punën”, ka shkruar Rijad Hajredinaj.

Deri më tani, Ministria nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike lidhur me vonesat në pagesa apo afatet se kur pritet të realizohen ato.
Vonesat në pagesa janë kthyer në një problem të përsëritur në këtë ministri, si në kohën kur drejtohej nga Faton Peci, ashtu edhe tani, nën drejtimin e Armend Mujës.
Vitin e kaluar, shumë prej pagesave ishin vonuar deri në dhjetor të vitit 2025, ndërsa një pjesë e madhe ishte realizuar vetëm në janar të këtij viti. Për këto vonesa, VOX Kosova kishte raportuar disa herë.
Këtë vit, shumë zona, veçanërisht Istogu, u goditën nga breshëri, duke shkaktuar dëme të mëdha te fermerët, sidomos në sektorët e perimeve dhe të pemëve.
Pavarësisht premtimeve të qeverisë, deri më tani nuk ka asnjë njoftim lidhur me afatin apo shumën e kompensimit për dëmet e shkaktuara.









