Në fazën finale të gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se pritjet për vendimin përfundimtar mbeten vetëm te gjyqtarët dhe shpreson që ata të marrin një vendim të drejtë, pa u ndikuar nga Prokuroria.
“Ne e dimë çka kërkon Prokuroria. Pa dyshim Prokuroria ka me kërku për me i dënu. Ne e dimë edhe avokati i këtyre viktimave edhe ai çka kërkon edhe atë e dimë. Prej këtyre dyjave s’presim kurrgjë”, ka thënë Gucati në një intervistë për Ekonomia Online.
“Po ne presim gjithmonë prej gjyqtarëve. Dhashtë Zoti që gjyqtarët të mos bien pre e prokurorëve edhe e matrapazëve njerëzve të marrin një vendim të drejtë një vendim pozitiv tu e këqyrë edhe anën pozitive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shtoi ai.
Gucati shpreson që ish-krerët e UÇK-së të lirohen dhe në maj “të vijnë edhe ta festojmë ditën e tyre kur do të lirohen ata”. “Ma së pari ishalla vijnë në familjen e tyre tani vijnë në rrethin e shoqnisë dhe të Kosovës”.
Procesi i gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën finale. Nga 9 shkurti deri më 18 shkurt do të dëgjohen fjalët përfundimtare të palëve, ndërsa pas kësaj, trupi gjykues ka 90 ditë kohë të tërhiqet për vendimin përfundimtar.
Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.








