Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se s’ka pasur asnjë alternativë tjetër pos 28 dhjetorit, si datë për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme vitin e kaluar. Në një konferencë për media, Kurti tha se data 21 dhjetor “s’ka qenë opsion shkaku i afateve të domosdoshme kohore lidhur me sfidat teknike e logjistike”, ndërkaq që 04 janari ishte i pamundur shkaku i mungesës së buxhetit.

“Nuk ka pasur mundësi tjetër për datë përveçse 28 dhjetor. Nëse dikush do të mendonte që ka qenë e mundur të organizohen zgjedhjet më 04 janar, as kjo s’ka qenë e mundur për shkak të aspektit buxhetor. Ju e dini që në muajt e fillimit të këtij viti kemi shkuar sa i përket buxhetit në 1 të 12-tën, e 1 e 12-ta nuk do të mjaftonte për shpenzimet e KQZ-së sepse nuk ka qenë situatë normale. Pra KQZ-së i nevojiten shumë më shumë mjete në muajt kur ka zgjedhje”, tha i pari i Qeverisë.

Kjo deklaratë e Kurtit vjen pasi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë të dhënë e kishte pranuar se në favor të Vetëvendosjes kishte caktuar 28 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.