Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka thënë se rezultati në zgjedhjet e 7 qershorit i LDK-së, “është dështim për të cilin përgjejësia politike bie mbi Vjosa Osmanin e Lumir Abdixhikun”. Në një postim në Facebook, ai ka thënë se Abdixhiku e Osmani, sipas tij, “shpërfillën paralajmërimet e veprimtarëve e aktivistëve”, si dhe “u larguan nga baza elektorale”, duke përzgjedhur kandidatë sipas shijes e interesave personale.
“Lidershipi aktual duhet ta pranojë dështimin e projektit të tyre për transformimin dhe përvetësimin e partisë sepse e morën përgjigjen nga elektorati”, ka shkruar Veliu.
Sipas Veliut “është momenti i fundit të niset një proces zgjedhor i rregullt dhe transparent, duke hapur rrugë për figura politike që janë të dëshmuara, që gëzojnë mbështetje të gjerë dhe që interesin e partisë e vendosin mbi interesat personale apo grupore”.
Lidhja Demokratike e Kosovës u rendit e treta në zgjedhjet e 7 qershorit duke marrë 16.69 për qind të votave. Në legjislaturën e re të Kuvendit, do të ketë 18 deputetë.









