Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se gjatë muajve të dimrit, vendi pritet të importojë në sasi të shtuara energji elektrike, çka rrjedhimisht nënkupton rritje të kostos së furnizimit. Kjo situatë, sipas Qeverisë vjen pas dështimit të kthimit në kohë në funksion në funksion të njësisë B1 të Termocentralit “Kosova B”, për çka Qeveria e fajëson Bashkimin Evropian.
“Njësia B1 e Termocentralit “Kosova B” është jashtë operimit për shkak të punimeve të projektit për elektrofiltra dhe reduktimin e NOx, i financuar nga Bashkimi Evropian, dhe vonesat në këto punime krijojnë pasiguri për kthimin e saj në operim në kohë, çka pritet të rrisë nevojën për import në periudhën e konsumit më të lartë. Prandaj, Qeveria vlerëson se ekziston interes publik për vendosjen e një obligimi të përkohshëm të shërbimit publik ndaj KEK-ut, sipas nenit 5, paragrafi 1.1., të Ligjit Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, për sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare të nevojshme për importin e energjisë elektrike nga 1 dhjetori 2026 deri më 31 dhjetor 2026”, thuhet në një pjesë të arsyetimit të Qeverisë për masat emergjente të vendosura për furnizim me rrymë.
DOKUMENT:

Në kuadër të masave emergjente, Qeveria i ka vendosur Korporatës Energjetike të Kosovës obligim për sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit, në funksion të adresimit të mungesës së prodhimit të planifikuar nga Njësia B1 e Termocentralit “Kosova B”. Kjo do të ndodhë gjatë dhjetorit.
Masat tjera përfshinë:
Detyrohet ndërmarrja hidro-ekonomike “Ibër-Lepenci” (IL) të prodhojë energji nga HC “Ujmani”, për qëllime të furnizimit me energji për konsumatorët me të drejtë të shërbimit universal.
Ndërmarrja hidro-ekonomike “Ibër-Lepenci” do të realizojë prodhimin nga objektet e prodhimit, të cekura sipas udhëzimeve të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).
Obligohet Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut që të udhëzojë “Ibër-Lepencin” të prodhojë, për aq sa është e mundur teknikisht, gjatë kohëve të pikut dhe në secilin rast në kohën kur prodhimi i tyre ndikon më së shumti në uljen e kostove të sistemit, apo për arsye të sigurisë së furnizimit.
Obligohet Furnizuesi për Shërbim Universal të kompensojë ndërmarrjen hidro-ekonomike “Ibër-Lepenci” për prodhimin e energjisë, në përputhje me çmimin referent të Rregullatorit të Energjisë.
Ministria e Ekonomisë themelon dhe udhëheq Komitetin Teknik Emergjent, të përbërë nga përfaqësuesit e institucioneve dhe të ndërmarrjeve relevante.
Obligohet Komiteti Teknik Emergjent që të rekomandojë masa shtesë, përfshirë edhe kushte të veçanta komerciale, për ta menaxhuar situatën emergjente të furnizimit me energji elektrike.
Obligohet Komiteti Teknik Emergjent të monitorojë dhe të raportojë çdo dy javë te Ministria e Ekonomisë, për gjendjen e përgjithshme të sigurisë së furnizimit, duke përfshirë disponueshmërinë e kapaciteteve gjeneruese, furnizimin, kërkesën dhe rrjetin e energjisë elektrike në vend.
DOKUMENT:

B1 jashtë funksionit.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka pranuar se Qeveria ka dështuar kthimin në kohë në funksion të Bllokut B1 të Koorporatës Energjetike të Kosovës. Sipas Rizvanollit, fajin për këtë e ka Bashkimi Evropian, i cili e ka financuar edhe kontraktuar projektin. Si afat i fundit për rikthimin në funksion të këtij blloku ishte 25 nëntori.
“Ky projekt, siç e dini, është i financuar dhe kontraktuar nga Bashkimi Evropian qysh në vitin 2019. Sipas marrëveshjes mes BE-së dhe kontraktorit, afati kontraktual për përfundimin e punimeve, dhe si rrjedhojë mundësimin e kthimit të bllokut në operim, ka qenë 25 nëntori”, ka thënë Rizvanolli.
“Mirëpo, kontraktori i këtij projekti ka pasur vonesa të vazhdueshme gjatë zbatimit të punëve. Duke qenë se Bashkimi Evropian është autoriteti kontraktues i projektit, dhe gjithashtu i kompanisë mbikëqyrëse të projektit, përqendrimi i KEK-ut, dhe përqendrimi ynë si Ministri e si Qeveri ka qenë tek monitorimi i rregullt, nga afër, i projektit dhe evidentimi i mangësive dhe shqetësimeve”, shton.
Aktualisht, KEK-u po operon me tri njësi prodhuese: A3 dhe A4 si dhe B2.









