Rezultatet e dobëta në zgjedhje, që e kanë pozicionuar Lidhjen Demokratike të Kosovës përherë si forcën e tretë politike, janë baza e arsyetimit të kërkesës së një pjese të delegatëve të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për shkarkimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.

Kuvendi është thirrur me vetëm një pikë të rendit të ditës: shkarkimin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Delegatët nënshkrues theksojnë se, në tri proceset e fundit zgjedhore, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka arritur rezultatet politike dhe elektorale që priteshin nga anëtarësia, elektorati dhe potenciali i saj politik.

“Përkundrazi, rezultatet kanë reflektuar një prirje të vazhdueshme të pozicionimit të LDK-së si subjekti i tretë politik në Republikën e Kosovës, duke krijuar perceptimin e normalizimit të këtij pozicioni”, thuhet në kërkesë.

“Për një subjekt politik me historinë, traditën dhe përgjegjësinë shtetformuese të LDK-së, zhvillime të tilla kërkojnë domosdoshmërisht reflektim institucional dhe ushtrim të përgjegjësisë politike përmes mekanizmave të parashikuar në Statut”, shtihet aty.

Kjo iniciativë, thuhet aty, ka për qëllim garantimin e funksionimit të demokracisë së brendshme dhe respektimin e parimit të llogaridhënies.

Kërkesa e delegatëve të LDK-së.

Pasi që nënshkrimet e u dorëzuan te Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ilir Ferati, Abdixhiku doli me një video-adresim, ku u shpreh i gatshëm për votëbesim në Kuvendin e LDK-së, për të cilin tha se e ka autorizuar Feratin që të fillojë procedurat për mbajtjen e Kuvendit.

“Ndonëse plot 207 delegatë të tjerë nuk janë bërë pjesë e kësaj nisme, në respekt të plotë të statutit dhe të vullnetit të një të tretës së delegatëve tanë… kam autorizuar Sekretarin e Përgjithshëm që të nis menjëherë procedurat e menjëhershme për mbajtjen e këtij Kuvendi”, pohoi Abdixhiku.

Pas verifikimit të plotë të nënshkrimeve, kreu i LDK-së deklaroi se Kuvendi do të caktohet “pa asnjë vonesë data dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit”, derisa i njoftoi se për shkak të kësaj situate ka ndërprerë të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve.

“Për shkak të kësaj nisme, më duhet t’ju njoftoj se detyrohem t’i ndërpres të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës”, deklaroi Abdixhiku, disa ditë pasi që u takua me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për të biseduar pikërisht për formimin e institucioneve.

Kërkesat për dorëheqje të Abdixhikut filluan pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, ku LDK-ja doli parti me tretë më rreth 17 për qind, apo 18 deputetë – 3 më shumë se në zgjedhjet e dhjetorit 2025.