Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar Kimberly Guilfoyle të japë dorëheqje nga posti i ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), në Greqi, bëri të ditur të martën zëdhënësja e re për media e Shtëpisë së Bardhë.

“Ne i kemi kërkuar ambasadores Guilfoyle të japë dorëheqjen”, tha Katie Zacharia gjatë konferencës së saj të parë për media, raporton CNN. “Ajo ka qenë një aset i shkëlqyer për ekipin dhe i urojmë suksese”, shtoi.

Përfaqësuesit e Guilfoyle nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të CNN për koment të martën.

Largimi i saj vjen pas raportimeve se ajo kishte kërkuar para në këmbim të sigurimit të qasjes te zyrtarë të administratës amerikane, para se të konfirmohej në detyrë; kishte pranuar dhurata luksoze gjatë ushtrimit të funksionit të ambasadores; si dhe kishte përfshirë në takime zyrtare një lobist të një kompanie greke të ndërtimit, thuhet në shkrimin e CNN.

Avokatët e Guilfoyle i kanë mohuar pretendimet lidhur me kërkimin e parave dhe kanë thënë se raportimet për udhëtimet e saj ishin çorientuese. Ata kanë shtuar se ajo i kishte respektuar kërkesat federale për pranimin e dhuratave dhe raportimin e tyre.

Sipas CNN, largimi i saj do të shënonte largimin e një figure të njohur të lëvizjes MAGA dhe të një personi që ka ruajtur marrëdhënie të afërta me familjen Trump. Guilfoyle ishte e fejuar për katër vjet me djalin e madh të presidentit amerikan, Donald Trump Jr. Pas ndarjes së tyre, ajo u emërua ambasadore në Greqi dhe mori detyrën në shtator të vitit 2025.

Eric Deters, një ish-donator i Trumpit, tha se Guilfoyle i kishte kërkuar përmes një mesazhi që t’i transferonte 100 mijë dollarë për të shlyer borxhin e një karte American Express, në ditët para konfirmimit të saj nga Senati. Sipas Deters, ajo i kishte thënë se, nëse e bënte këtë, do të ishte njeriu i saj i besuar në administratën Trump, që do ta mbështeste në çdo rrethanë.

“Nuk ka asnjë dyshim se bëhej fjalë për një marrëveshje shkëmbimi të favoreve”, i tha Deters gazetarit të CNN-it, Jake Tapper, javën e kaluar.

Deters nuk ia transferoi paratë Guilfoyle-s, duke thënë se në atë kohë nuk kishte mjete financiare likuide të mjaftueshme.

Në një deklaratë të dërguar CNN-it, avokatët e Guilfoyle thanë se Deters i kishte borxh asaj para për fjalime dhe punë konsulence, ndërsa i cilësuan deklaratat e tij si të pavërteta.

“Kur zonja Guilfoyle po përgatitej të largohej nga jeta private për t’i shërbyer publikut, ajo bëri atë që bën çdo profesionist: u përpoq të mbyllte llogaritë e hapura dhe të arkëtonte paratë që i takonin. T’i kërkosh një klienti të paguajë për punën e kryer tashmë nuk është korrupsion. Është e kundërta e korrupsionit”, shkruan avokatët e saj.

Të hënën, Trump konfirmoi se po shqyrtonte mundësinë e shkarkimit të Guilfoyle-s.

“Po e shqyrtojmë këtë mundësi — po. Nuk jemi të kënaqur”, u tha Trump gazetarëve teksa po largohej nga Shtëpia e Bardhë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ishte duke udhëtuar drejt Greqisë kur The Wall Street Journal publikoi për herë të parë raportimet për skemën e pretenduar të Guilfoyle-s, ku favore ose qasje te zyrtarët shkëmbeheshin me pagesa.

Guilfoyle mori pjesë në disa ngjarje së bashku me Rubion, i cili në atë kohë refuzoi të komentonte raportimet. Më herët, gazeta kishte raportuar edhe për pretendimet se ajo kishte promovuar një kompani greke të energjisë për marrëveshje energjetike në rajon.

Gjatë vizitës në Athinë, Rubio e vlerësoi Guilfoyle-n si një “ambasadore të fortë këtu” dhe hodhi poshtë pyetjet për raportimet lidhur me sjelljen e saj.

“Ju silleni sikur, vetëm pse një burim ju ka thënë diçka dhe ju e keni raportuar, ajo është e vërteta absolute. Nuk është e vërteta absolute. Për mua nuk është e vërteta absolute. Kështu nuk i bëjmë ne gjërat”, tha Rubio para se të hipte në aeroplan për t’u larguar nga Greqia, ndërsa Guilfoyle e dëgjonte.

Pas njoftimit të së martës se Guilfoyle-s i ishte kërkuar të jepte dorëheqjen, demokratët në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve theksuan se “dorëheqja nuk e mbron atë nga përgjegjësia”.

“Guilfoyle e përdori pozitën e saj si zyrtare e administratës Trump për t’u pasuruar, ndërsa familjet amerikane po përballen me vështirësitë e kostos së jetesës”, shkroi komiteti në platformën X.

“Kongresi duhet të ushtrojë mbikëqyrje për të kuptuar se si ndodhi kjo dhe për ta mbajtur administratën përgjegjëse.”