Prokuroria Speciale e Kosovës ka përgënjeshtruar Kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Faton Peci i cili tha se ndaj tij kanë pushuar hetimet për dyshimet për manipulime me grante në bujqësi. Organi kryesor i akuzës ka bërë të ditur se hetimet për keqpërdorim të granteve në bujqësi janë duke vazhduar. PSRK ka thënë se poshtë është hedhur vetëm kallëzimi penal i Lidhjes Demokratike të Kosovës “për çështjen e ushtrimit të dy funksioneve në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës”.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës sqaron opinionin publik se rasti për të cilin po raportohet se është hedhur kallëzimi penal ndaj F.P., nuk ndërlidhet me hetimet që janë duke u zhvilluar lidhur me dyshimet për keqpërdorim të granteve në sektorin e bujqësisë. Rasti në fjalë ka të bëjë me një kallëzim penal të paraqitur nga subjekti politik LDK, i cili ndërlidhet me çështjen e ushtrimit të dy funksioneve në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Prokuroria në një komunikatë për media.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci tha se është hedhur poshtë kallëzimi penal kundër tij për keqpërdorimet me grantet në bujqësi.
“Prokuroria hedh poshtë kallëzimin penal të LDK-së kundër meje për grantet në bujqësi. Gjatë kohës sa isha ministër i bujqësisë, ky institucion u reformua rrënjësisht”, tha Peci.
Në nëntor të vitit 2024, ishte kuptuar se Ministria e Bujqësisë nën drejtimin e Faton Pecit u kishte dhënë grante dajës dhe vëllaut të atëherë deputetes së VV-së, Fitore Pacollit, e cila në atë kohë mbante pozitën e Kryetares së Komisionit Parlamentar për Bujqësi.
Përveç saj, grant kishte fituar edhe Naim Huruglica, ish-këshilltar i Pecit.









