Të buzëqeshur dolën para dy ditësh nga një kafe në Prishtinë. Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, dhe Fatmir Limaj, kryetar i NISMA-s për Kosovën, u takuan, por nuk treguan se për çka biseduan.

I pyetur për një mundësi koalicioni parazgjedhor me LDK-në, kreu i NISMA-s e la të hapur mundësinë.

“Ne jemi të hapur për të biseduar”, tha ai.

Për më tepër, pati edhe lëvdata për Abdixhikun, duke thënë se ka kapacitet t’i ofrojë vendit alternativë të re.
“Zotëri Abdixhiku si personalitet, dhe si kuadër, dhe këtë që ka vepruar tash e sa kohë, mendoj që ka kapacitete me ia ofru Kosovës një alternativë të re”, ka thënë Limaj në Rubikon të Klan Kosovës.

“Ai dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti, me gjithë atë ekip që e ka dhe traditën që e ka prapa, dhe bashkëpunimin që e kemi pasë në situata të ndryshme, në mënyrë të veçantë, ju e dini që kam pasë një bashkëpunim të veçantë me z. Mustafa”, deklaroi Limaj.

Dikur pjesë e rëndësishme e PDK-së, Fatmir Limaj në zgjedhjet e vitit 2021 mbeti jashtë Kuvendit, por arriti të bëhej pjesë e Parlamentit në zgjedhjet e fundit përmes derës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Por raportet u prishën menjëherë pas zgjedhjeve, kur Limaj shprehu gatishmëri për bisedime me Albin Kurtin dhe, në një mënyrë, ndau rrugët me Ramush Haradinajn.

Përmes këtij koalicioni me AAK-në, NISMA nxori tre deputetë.