Personat që po i shihni në këtë fotografi janë ministri i Qeverisë Kurti për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiç, dhe vëllai i tij, Igor Rashiç.
Të dy, sot, janë shndërruar në kupolat kryesore në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete.
Dhe jo, nuk është ndonjë rastësi.
Igori është aty sepse ministri Nenad Rashiç vendosi që vëllai i tij të ulet në karrigen e shefit të kabinetit të tij.
Po, mirë e dëgjuat.
Ministri e emëroi vëllain e vet si shef kabineti.
A është nepotizëm?
Për Rashiçin, me sa duket, jo.
Ai VOX Kosovës i tha se s’pati person më të dijshëm e kompetent se vëllau i tij.
“Po. Igori është vëllau im. Jo, nuk ka pasur person ma kompetent dhe ma i dishem përveç atij. Gjithashtu, në rrethanat që kemi pas vitet e kaluara, besimi tek bashkëpunëtorët dhe lojaliteti është referencë kryesore tek unë. Gjithashtu, ministri emëron stafin e kabinetit dhe është normale me pas njerëz më të besueshëm që është e mundur”, i tha VOX-it Nenad Rashiç.
Pra, krejt normale.
Sepse punësimet e familjarëve të ngushtë janë normalitet në këtë Qeveri.
Dhe këtu nuk ka aspak lidhje nëse është emërim politik apo jo, sepse pagën, koston në fund e paguan shteti.
Dhe siç thoshte Albin Kurti dikur: “familjarët janë për dasma” …
Në këtë Qeveri dasmat janë zhvendosur në zyrat e ministrive, ku familjarët marrin vendet në tavolinë, ministrat bëjnë ahengun, ndërsa orkestrën, sofrën dhe faturën e paguan buxheti i shtetit.








