Një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme, i cili kishte shërbyer për disa vjet si diplomat në Ambasadën e Kosovës në Romë dhe më pas në Konsullatën në Gjenevë, vitin e kaluar u përball me një sfidë shëndeti të vajzës së tij.

Por, në derën e tij trokiti edhe një sfidë tjetër.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në gusht 2024, e caktoi atë si diplomat në Ambasadën e Kosovës në Senegal. Por, A.H as nuk ishte njoftuar dhe as konsultuar për këtë emërim.

Gjendja shëndetësore e fëmijës së tij bëri që ai ta refuzonte këtë detyrë.

Dhe këtu nisën problemet.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë mori vendim të themelonte një Komision Disiplinor për A.H., për refuzimin e tij që të shkonte në Senegal me shërbim diplomatik.

Edhe pse arsyet e tij ishin familjare e shëndetësore, dhe fakti që nuk ishte konsultuar apo informuar paraprakisht, Komisioni Disiplinor, në janar të vitit 2025 vendosi ta dënojë me heqjen e 20% të pagës për katër muaj.

A.H më pas iu drejtua me ankesë Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil.

Ky institucion e aprovoi ankesën e tij dhe kërkoi nga Ministria që ta anulojë vendimin e Komisionit Disiplinor. Si rrjedhojë, edhe kompensimin e pjesës 20% të pagës, shkruan VOX Kosova.

“Obligohet Sekretari i Përgjithshëm dhe Udhëheqësi i Njësisë për Burime Njerëzore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e pranimit, duke e bërë kompensimin e pagës së ankuesit për periudhën e ndaluar sipas vendimit të anuluar, si dhe masën e anuluar sipas pikës II ta largojnë nga regjistri personal i ankuesit”, thuhet në vendimin e Këshillit.

Këshilli ka konstatuar se ankuesi solli dëshmi të mjaftueshme, si mjekësore për shëndetin e fëmijës së tij, ashtu edhe komunikime me Sekretarin e Ministrisë. Ai e njohu si të bazuar pretendimin se ky zyrtar nuk ishte informuar paraprakisht për mundësinë e dërgimit të tij në Senegal.

“Kolegji ka analizuar aktin e kontestuar në ankesë në ndërlidhje me provat materiale të çështjes dhe si rrjedhojë konstaton se kërkesa për inicim të procedurës disiplinore dhe po ashtu edhe Vendimi Nr. ref.01/2025, i datës 24.01.2025, i Komisionit Disiplinor të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nuk përmbajnë ndonjë përcaktim ligjor mbi bazën e të cilit veprimet dhe sjelljet e ankuesit lidhur me refuzimin do të cilësoheshin si veprime të kundërligjshme. Për më tepër, Komisioni Disiplinor me vendimin e atakuar jep konstatime të përgjithësuara, pa dhënë cilësim të shkeljes disiplinore të ankuesit dhe pa konstatuar nëse veprimet e tij përbënin shkelje të natyrës së lehtë apo të rëndë. Po ashtu, masa disiplinore është shqiptuar pa ndonjë referencë ligjore”, thuhet në vendim.

Në vendim thuhet se, edhe sipas ligjit, zyrtari do të duhej të ishte informuar paraprakisht lidhur me procedurat që lidhen me vendin e tij të punës.

“Rrjedhimisht, sipas pikës II të dispozitivit të Vendimit Nr. ref.336/2024, të datës 03.08.2024, të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ankuesi duhej ta fillonte shërbimin në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Dakar/Senegal nga data 01.10.2024. Ndërsa, sipas shkresave të lëndës, ankuesi asnjëherë nuk ishte konsultuar apo njoftuar për këtë proces të emërimit, në mënyrë që t’i jepej mundësia e parashtrimit të arsyeve familjare dhe shëndetësore për refuzimin e tij. Veprime këto të organit të punësimit që bien ndesh me nenin 27 paragrafi 1 të Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publik, ku përcaktohet se: ‘Zyrtarja/i publik ka të drejtë të informohet për procedurat dhe vendimet lidhur me marrëdhënien e saj/tij të punës’, si dhe me nenin 9 paragrafi 2 të Ligjit Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, ku thuhet se: ‘Organi publik duhet të garantojë të drejtën e palës për t’u informuar mbi ecurinë e procedurës administrative, qasjen në dosjen dhe dokumentet e tij dhe të drejtën e njoftimit me mjete të përshtatshme, në pajtim me këtë Ligj’”, theksohet në vendim./VoxKosova