“Në Kosovë po krijohen kushtet për shkak të sundimit të ligjit, për shkak të qeverisjes së mirë, për shkak të luftimit të korrupsionit, për shkak të investimeve në bujqësi e në ushtri, po krijohen kushtet që bashkatdhetarët me u kthy”, Albin Kurti, 1 gusht 2026.
Është e pabesueshme dhe e pashpjegueshme që, edhe pas 6 vjetëve të tij si kryeministër, me gjithë ato mburrje për rezultate të jashtëzakonshme, Kurtit nuk i jetojnë në Kosovë bashkëshortja dhe vajza.
Është rast unik në Evropë, ku familja e njeriut që drejton vendin me 50% të votave nuk jeton aty.
Çka tjetër duhet të ndodhë që familja e tij të kthehet nga Norvegjia, të përjetojë kaosin nga projektet që nuk i përfundon kjo qeveri, varfërinë e pabarazinë, sulmin ndaj fjalës së lirë, mungesën e barnave dhe penjve në spitale, shtretërit e shkatërruar në pediatri, rritjen e çmimeve të shportës bazë, gjendjen e rënduar në arsim, reduktimet e energjisë dhe shtrenjtimin e saj gati vit për vit.
Bashkëshortja e kryeministrit në Kosovë shfaqet kryesisht në fushata dhe ditën e zgjedhjeve, kur e pret Kurtin teksa voton, si dhe e shoqëron kryeministrin në disa seminare koti në bregdetin grek – të organizuara nga miq të Serbisë.
E në krejt këtë çudi, Kurti ka zellin t’u kërkojë dhe t’i frymëzojë të tjerët të kthehen, duke folur për një realitet që vetëm ai në Kosovë e sheh.
Në çfarë realiteti jeton Kurti, kur thotë se janë krijuar kushtet që njerëzit të kthehen, kur Kosova është renditur si vendi i dytë më i varfër në Evropë, sipas platformës WorldAtlas, e cila përdor bazën e të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar?
Për çfarë sundimi të ligjit flet kryeministri, kur është vetë ai që sfidon ligjin, duke refuzuar të dëshmojë para Prokurorisë për një rast korrupsioni në qeverinë e tij?
E çfarë lufte ndaj korrupsionit po zhvillohet, kur ministra, ambasadorë dhe drejtorë ndërmarrjesh akuzohen e hetohen për keqpërdorime milionëshe?
Dhe kur edhe raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe të Parlamentit Evropian flasin për një nivel serioz e sistematik të korrupsionit. Për çfarë mundësish po flet ai, kur nepotizmi, punësimet politike dhe familjare janë shtrirë gjithandej nëpër institucione?
Në çfarë ekonomie do të jetojnë ata që kthehen, kur vetëm gjatë vitit 2025 Kosova ka importuar mallra në vlerë prej 7 miliardë eurosh?
Për dallim nga çka flet Kurti, Kosova po zbrazet.
Nga viti 2021 deri në vitin 2024, sipas statistikave të Eurostatit, mesatarisht rreth 40 mijë persona janë larguar nga Kosova drejt Evropës, diku rreth 175 mijë për katër vjet.
Nëse dikur Kosova mburrej me moshën mesatare, e cila në vitin 2011 ka qenë rreth 30 vjet, në regjistrimin e vitit 2024 ajo është rreth 35 vjet.
Nga lëvizjet e popullsisë drejt Evropës, por edhe brenda Kosovës, nga 38 komuna që i ka Kosova, në 29 është zvogëluar dukshëm numri i banorëve.
Kur zbrazet Kosova, zbrazen edhe spitalet nga profesionistët.
Qindra infermierë e mjekë largohen nga vendi çdo vit.
Kur fuqia punëtore largohet, ikin edhe bizneset.
Qindra miliona euro bizneset nga Kosova kanë investuar viteve të fundit në vende të rajonit.
Por ajo që ka zënë vend e po rritet më së shumti është përralla – ajo me rusin, gjermanin, pakistanezin e filipinasin që gjoja po duan të vijnë në Kosovë.
Një përrallë për një Kosovë me zhvillim të hovshëm, ku të tjerët mezi presin të vijnë, ndërsa vetë qytetarët e saj vazhdojnë të largohen.








