Prokuroria Themelore në Prishtinë ka zhvilluar sot një aksion në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe në disa lokacione të tjera, në kuadër të hetimeve për vepra penale që lidhen me krimin ekonomik dhe korrupsionin.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni është realizuar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Kontrollet janë kryer ndaj personave të dyshuar për veprat penale “keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, “falsifikimi i dokumenteve” dhe “legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë”.
Prokuroria bën të ditur se të dyshuarit me inicialet A.Q. dhe N.K., në bashkëveprim dhe pas një marrëveshjeje paraprake, dyshohet se kanë përdorur një dokument të falsifikuar të titulluar “Kontratë për këmbim e paluajtshmërive” të vitit 1966, për të paraqitur në mënyrë të rreme një këmbim pronash me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror.
Sipas hetimeve, ky dokument dyshohet se është paraqitur si autentik me ndihmën e një personi zyrtar në gjykatë, me inicialet A.B., i cili dyshohet se ka krijuar dosje fiktive dhe ka mundësuar përfshirjen e dokumentit në arkivat zyrtare, ndonëse ai nuk ka ekzistuar më parë në evidenca.
Në të njëjtën çështje, dy persona të tjerë zyrtarë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, me inicialet B.Sh. dhe M.B., dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke aprovuar në mënyrë të kundërligjshme një ankesë dhe duke obliguar Komunën e Prishtinës që të regjistrojë një pronë në emër të të pandehurit N.K.









