Kur Charles Smith po lexonte përmbledhjen e vendimit të turpshëm ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zuri në gojë si “kriminel lufte” edhe Fatmir Limajn; i pafajshëm në tri procese gjyqësore – në Hagës, në EULEX e në gjyqësorin e Kosovës.
Limaj u ul në bankën e të akuzuarve të Tribunalit Penal Ndërkombëtar në Hagë në shkurt të vitit 2003 pasi u arrestua në Slloveni.
Dy vjet më vonë Paneli i Gjyqtarëve konstatoi se Limaj ishte i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.
“Fatmir Limaj… Gjykata ju shpall të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës”, thoshte kryetari i Trupit Gjykues në rastin e Limajt, Kevin Parker, gjatë leximit të aktgjykimit.
Prokuroria e Hagës apeloi vendimin në mars të 2006-së. Në qershor të 2007-së u mbajtën seancat e Apelit, teksa vetëm tre muaj pas, në shtator, Gjykata edhe njëherë konstatoi pafajësinë e Limajt.
Pasi përfundoi me Hagën, Limajt i filluan proceset gjyqësore në Kosovë.
Në korrik të vitit 2011, një prokuror i EULEX-it në Kosovë ngriti një tjetër aktakuzë ndaj Çelikut të UÇK-së, që në publik u njoh gjerësisht si rasti Kleçka.
Më 17 shtator 2013, Paneli i Gjyqtarëve në Gjykatën Themelore të Prishtinës, me dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një vendor, e shpalli Limajn të pafajshëm në krejt pikat e aktakuzës.
Me ankesën e ish-prokurorit, Maorizio Salustro, vendimi i Themelores u apelua. Procesi u zvarrit deri më 14 maj 2016, kur Apeli la në fuqi aktgjykimin lirues të Themelores.
Prokuroria e çoi rastin edhe në Supreme. Një vit pas vendimit të Apelit, më 12 maj 2017, Gjykata Supreme e Kosovës lëshon vendimin final për Limajn – ai shpallet i pafajshëm edhe për të gjashtën herë.
Në tetor të 2016-së, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti edhe një aktakuzë ndaj Çelikut.
Ai këtë herë ishte i dyshuar për krime lufte në Bellanicë të Malishevës.
Në mars të 2018-së, Gjykata Themelore e Gjakovës e liroi Limajn nga akuzat. Vendimin e instancës së parë e konfirmoi edhe Gjykata e Apelit në nëntor të atij viti.
Tri procese gjyqësore, tetë vendime shfajësuese nga 26 gjykatës të ndryshëm, nuk i mjaftuan Charls Smith-it që më 16 shtator, ta shpallë Fatmir Limajn fajtor për krime lufte, ndonëse i njëjti nuk ishte i akuzuar nga Prokuroria e Speciales.
“Të tjerë, e në veçanti Fatmir Limaj, Sabit Geci, Rrustem Mustafa dhe Latif Gashi, ishin zbatues të zellshëm të qëllimit kriminal që synonte kundërshtarët”, tha Smith gjatë leximit të aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ky me gjasë ka qenë vendimi që Smith ka dashur ta japë qysh moti.
Kjo konfirmohet nga një email i 29 janarit 2013, në të cilin ai i thoshte kryetarit të gjykatësve në EULEX, Malcom Simmons, se “[Rasti Kleçka] të caktohet për gjykim sa më shpejt që të jetë e mundur. Ka një sërë arsyesh për këtë… shumica prej tyre politike”.
Madje, sipas Simmons, Smith shkonte më tutje, duke thënë se të pandehurit duhet të dënoheshin sepse këtë po e priste misioni i EULEX-it…
Limaj nuk u dënua në Hagë. Nuk u dënua në rastin Kleçka. Nuk u dënua as për rastin e Bellanicës.
Por, më 16 shtator 2026, një Gjykatë që përveç emrin, Speciale e ka edhe mënyrën e operimit, e shpalli Limajn fajtor pa qenë fare i akuzuar.








