Dibran Hoxha, i njohur ndryshe si “Kobra”, është dënuar me 23 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për vrasjen në vitin 2023 në klubin e natës “Cobra City”, në afërsi të Prizrenit, që ishte në pronësi të tij. Ai është dënuar edhe me 2 vjet burgim për armëmbajtje pa leje.

Dënimi unik për të është përcaktuar në 24 vjet burgim. Ndërsa, i akuzuari tjetër, Roland Susuri, është dënuar për tri vepra penale: pjesëmarrje në rrahje 1 vit e 6 muaj, manipulim me prova 4 vite e 6 muaj, dhe armëmbajtje pa leje 1 vit e 6 muaj, është dënuar me burgim unik prej 7 vitesh.

I akuzuari për pjesëmarrje në rrahje, Arben Vezaj, është dënuar me 1 vit burgim, derisa i akuzuari për manipulim me prova, Burim Mazreku, ka marrë 1 vit burg. Edhe Jesmir Badallaj, i akuzuar për pjesëmarrje në rrahje dhe armëmbajtje pa leje, është dënuar me 2 vite burgim unik.

Ndaj Hoxhës dhe të tjerëve, më 20 shkurt të vitit 2024, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë, 31-vjeçar nga Kukësi, më 3 janar 2023.