Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se para dy ditësh është neutralizuar një dron me eksploziv i destinuar të godiste Kryeministrinë.

Ai deklaroi se s’ka rini e student që i shkon mendja të veprojë në këtë formë, duke theksuar se kjo është një dorë e huaj.

“Aty brenda është dhe krimi. Përpara dy ditësh është neutralizuar një dron me eksploziv i destinuar të godiste Kryeministrinë duke i vënë zjarrin oborrit të brendshëm ku është ajo ngrehina e drurit. Dhe një Zot e di me çfarë pasojash. S’ka rini dhe s’ka student dhe s’ka të mitur që i shkon mendja dhe jo më që ta vërë në jetë këtë plan, kjo është një dorë e huaj”, tha Rama gjatë një adresimi live në Facebook.

Protesta e studentëve të Shqipërisë nisi të martën në Tiranë.

Studentët janë duke protestuar kundër rritjes së kostove të arsimit dhe kundër korrupsionit qeveritar. Por, kërkesa kryesore e tyre është dorëheqja e Ramës.

Protestat e dhunshme të studentëve vijnë pas disa muajsh demonstratash paqësore, të cilët kundërshtonin ndërtimin e një resorti luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë nga Jared Kushner, dhëndri i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.