Ish-Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka tentuar që fajin se pse Kosova ka shkuar në zgjedhje të ia lë opozitës, duke thënë se e njëjta nuk i ka shqyrtuar propozimet e VV-së për President.
Nagavci ka pretenduar se pozita e Presidentit është “shfrytëzuar” për të çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.
“Po duket se qëllimi edhe i PDK-së edhe i LDK-së prej fillimit ka qenë që të shkojmë në zgjedhje të reja andaj edhe nuk e kanë shqyrtuar asnjë nga propozimet tona dhe përtej kësaj tashmë jemi para zgjedhjeve të reja”, ka thënë Nagavci në emisionin Pressing në T7.
Ajo theksoi se “është shfrytëzuar pozita e Presidentit për të injoruar fjalën e qytetarëve”, derisa shprehet e bindur se në zgjedhjet e 7 qershorit “rezultati do të jetë i njëjtë”.
“Madje, besoj që qytetarët edhe një herë do ta thonë fjalën e tyre, sepse ajo që kemi vërejt gjatë kësaj kohe është që nuk ka pas asgjë ndoshta domethënë është shfrytëzuar pozita e Presidentit për të injoruar fjalën e qytetarëve”, theksoi ajo.
Ajo potencoi se Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë “tentime dhe propozime të njëpasnjëshme në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja”.









