Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u është drejtuar qytetarëve me një video-mesazh të premten, përmes të cilit ka tentuar që t’ia lë fajin partive opozitare për çështjen e Presidentit, tanimë që afati kushtetues për zgjedhjen e të parti të shtetit po i ofrohet fundi.

Kurti, derisa përmendi ofertat që u ka bërë – të cilat u refuzuan – ka thënë se Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, “fatkeqësisht po sillen edhe më keq se Fatmir Limaj në vitin e kaluar”, i cili nuk pranonte bashkëqeverisje më të, por donte vetëm Kryetarin e Kuvendit.

Ai akuzoi opozitën se e njëjta nuk do që Vetëvendosja të ketë pushtet.

“Realisht, ata nuk janë duke dashur as pushtet dhe as përgjegjësi për veten e tyre. Krejt çfarë duan është që ne dhe unë të mos kemi pushtet. Por, këtë gjë nuk e vendosin ata”, deklaroi Kurti.

Kreu i ekzekutivit potencoi se nëse shkohet në zgjedhje në qershor e VV-ja me aleatët e saj nuk i marrin 80 deputetë – aq sa duhen për të siguruar kuorumin për zgjedhjen e Presidentit – atëherë do të ketë zgjedhje të reja sërish, derisa kërkoi që të respektohet rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

“Meqenëse problemi kryesor mbetet nevoja për 80 deputetë për kuorum te çështja e Presidentit, zgjedhjet nuk do të sjellin zgjidhje. Rezultati i zgjedhjeve duhet të pranohet dhe të respektohet, sepse ai përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe bazën e demokracisë. Lëvizja VETËVENDOSJE! (LVV) ka siguruar shumicën e votave dhe të deputetëve, prandaj kërkon që ky rezultat të merret parasysh në proceset politike dhe në vendimmarrje”.

“Nëse shkojmë në zgjedhje në qershor, dhe LVV me partnerët (GUXO, Alternativa e pakicat) nuk i mbërrin 80 deputetë, atëherë do të shkojmë sërish në zgjedhje në vjeshtë a dimër. Kujt i konvenon kjo?!”, shtoi ai.

Ai përmendi ftesat që u ka bërë partive opozitare për takime si dhe ofertat ndaj tyre: LDK-së zëvendëskryeministrin dhe 4 ministri ose Kryetarin e Kuvendit, ndërsa PDK-së Kryetarin e Kuvendit, po që u refuzuan. “Çdo takim me ta është iniciuar çdo herë nga unë, thua se Kosova është vetëm e imja”.

Po ashtu, kujtoi edhe deklaratën e Ministrit të Punëve të Jashtme, njëherit të propozuarit të VV-së për President, i cili thoshte se nëse opozita propozon kandidat konsensual do të tërhiqte kandidaturën e tij.

“Pavarësisht kësaj, nga partitë opozitare, sot e asaj dite, nuk kanë paraqitur asnjë emër për kandidat për president. As në takime me mua dhe as publikisht për juve”, pohoi Kurti.

Ai kërkoi që të respektohet rezultati i zgjedhjeve të fundit, pasi që thekson se “demokracia duhet të bazohet në vullnetin e popullit dhe në rezultatin zgjedhor, jo në marrëveshje politike që e anashkalojnë dhe shkelin atë”.

“Pa respektimin e vullnetit të qytetarëve nuk mund të ketë marrëveshje politike. Ndërkaq, qëllimi është të shmangen zgjedhjet e përsëritura dhe të sigurohet stabiliteti institucional”.

Ai sërish insistoi se ka bërë oferta gjeneroze ndaj opozitës, të cilat janë refuzuar, por Kurti vlerëson se “janë shumë të favorshme në raport me numrin e deputetëve që ka opozita”.