Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se arsyeja kryesore e rritjes së çmimit të energjisë elektrike është konflikti në Iran dhe mbyllja e ngushticës së Hormuzit.
“Sot përderisa po flasim ne jemi ende në gjysmën e parë të nëntorit dhe qysh në ditët e para të nëntorit ende pa u bërë shumë ftohtë në tregjet ndërkombëtare çmimet kanë arritur çmimin 500 euro”, ka thënë Rizvanolli në Kanal 10.
E pyetur se pse ndodhë kjo rritje drastike, ajo theksoi se “ajo që ishte e paprecedent në pikun e dimrit, në të ftohtin më të madh në vitin 2021 tanimë në tregjet ndërkombëtare është arritur qysh në fillim të nëntorit”. “Dhe arsyeja kryesore për këtë është konflikti në Iran dhe mbyllja e ngushticës së Hormuzit”.
E pyetur nëse konflikti në Iran shkakton rritje energjetike gjithandej, Rizvanolli theksoi se “sigurisht, duke qenë se përveç çmimit të naftës kjo ndikon edhe në furnizimin me gaz natyror”.
Madje, Rizvanolli ka paralajmëruar dimër të vështirë energjetik për Kosovën.
“Ky dimër do të jetë një dimër i vështirë për gjithë Evropën jo vetëm për Evropën, por globalisht”.
Ajo bëri një krahasim me krizën e vitit 2021.
“Sa për ilustrim, nëse ju kujtohet, në dimrin e vitit 2021 kishim një krizë energjetike, e cila në atë kohë ishte e paprecedentë. Në kohën e Krishtlindjeve, kur ishte shumë ftohtë, konsumi ishte rritur dhe çmimet ishin rritur. Në dhjetor të vitit 2021, çmimi në tregjet ndërkombëtare kishte arritur deri në pak më shumë se 500 euro për megavat orë”.









