Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Jeton Zulfaj, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kuvend dhe dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje.

Përmes një postimi në Facebook, Zulfaj ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka vepruar në përputhje të plotë me Kushtetutën gjatë gjithë procedurës për zgjedhjen e presidentit.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! e respektoi Kushtetutën në plotni”, ka shkruar ai, duke theksuar se partia në pushtet ka ndërmarrë të gjitha veprimet kushtetuese për zhvillimin e procesit.

Në reagimin e tij, Zulfaj ka theksuar se Vetëvendosje kishte propozuar dy kandidatë për postin e presidentit në mënyrë që të kishte garë, ndërsa ka kritikuar partitë opozitare për mungesë të kandidaturave.

“Vendosi dy kandidatë që të ketë garë. PDK dhe LDK së bashku kanë 37 deputetë, por nuk sollën asnjë kandidat”, ka shkruar ai.

Sipas tij, seanca parlamentare ishte thirrur për të nisur procedurat brenda afatit kushtetues dhe janë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm deri te konstatimi i prezencës së deputetëve në sallë.

Zulfaj ka shtuar se ndërprerja e seancës ndodhi për shkak të mungesës së deputetëve, duke theksuar se ajo do të vazhdojë kur të sigurohet pjesëmarrja e tyre.

“Ndërpreu seancën për mungesë të deputetëve, për ta vazhduar kur ata të kthehen në sallë, siç e kanë obligim dhe detyrim kushtetues”, ka shkruar ai.

Në fund të reagimit, ai ka akuzuar opozitën për bojkot të proceseve institucionale, duke përmendur edhe situata të ngjashme nga viti i kaluar.

“Vitin e kaluar na humbën kohë duke bojkotuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit; tash duan të na humbin kohë sërish duke bojkotuar zgjedhjen e presidentit. Por presidenti duhet të zgjedhet”, ka përfunduar Zulfaj.