“Municionet e para nga kjo fabrikë do të dalin në fund të vitit 2026”, kishte deklaruar Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, më 27 nëntor 2025.

Nga cila fabrikë?
Nga kjo që nuk ka as themele, ndryshe nga sa ishte premtuar më 27 nëntor, në prag të zgjedhjeve të dhjetorit?

Në Jahoc të Gjakovës, të paktën do të duhej t’i shihej objekti i një fabrike, për të cilën Qeveria Kurti u zotua atëherë se e kishte nënshkruar marrëveshjen për ndërtim.

“Presim që deri në fund të vitit të ardhshëm kjo fabrikë të funksionalizohet, pra të fillojë prodhimin e këtyre municioneve dhe mund të them që në fund të vitit të ardhshëm do t’i kemi plumbat e parë”, kishte deklaruar Ejup Maqedonci, Ministër i Mbrojtjes në detyrë.

Por, siç shihet, nuk është rend plumbash, është veç një tjetër premtim në prag të një fushate tjetër zgjedhore.

Si mund të shndërrohet brenda gjashtë muajsh kjo tokë, ku as që ka filluar ndonjë objekt, në një fabrikë funksionale që prodhon çkado qoftë, aq më tepër plumba?

“Projekti i fabrikës së municionit, që planifikohej të startonte në fund të vitit 2026, besoj që është e pamundur të arrihet si afat kohor dhe, fatkeqësisht, po shihet që edhe ky projekt, projekt jetik bazuar në kontekstin e rrethanave gjeopolitike për vendin, është shndërruar në propagandë zgjedhore, propagandë elektorale”, thotë Valdet Hoxha, njohës i sigurisë.

Kryeministri në detyrë, më 27 nëntor të vitit 2025, kishte njoftuar se për ndërtimin e kësaj zone industriale ishin shpronësuar pronat e paluajtshme ish-shoqërore të KBI Ereniku në Gjakovë dhe se kjo ishte arritur nëpërmjet një bashkëpunimi me prodhuesin turk, MKE.

Por rreziku është që edhe kjo “fabrikë”, nga një projekt real strategjik për sigurinë e Kosovës, të na dalë vetëm si një tjetër premtim i përdorur për propagandë elektorale?

Njëjtë si ajo fabrika për prodhimin e dronëve, që shërbehej me video kineze për t’i mallëngjyer militantët e ngratë.