Sipas EXIT Poll-eve të publikuara në T7 dhe Klan Kosova, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri ka fituar zgjedhjet në Mitrovicë. Në T7, EXIT Poll e nxjerr Arian Tahirin fitues me 50.9 për qind, gjersa Faton Peci sipas të njëjtit ka marrë 49.1 për qind. Ndërkaq në atë të publikuar në Klan Kosova, Arian Tahiri ka marrë 50.34 për qind e Faton Peci 49.66 për qind.
Në raundin e parë të zgjedhjeve fitues kishte dalë Faton Peci i Vetëvendosjes me vetëm 122 vota më shumë se kundërkandidati i tij Arian Tahiri. Peci fitonte 15 mijë e 830 vota apo 47.94 për qind krahas 15 mijë e 708 votave apo 47.57 për qind sa kishte marrë Tahiri.
Mitrovica ishte një nga garat më të nxehta të këtyre Zgjedhjeve Lokale shkaku i përfshirjes së nivelit qendror të pushtetit në vetë garë përmes Faton Pecit e në fushatë përmes kryeministrit në detyrë Albin Kurti. Ky i fundit madje qendroi edhe gjatë ditës së sotme në Mitrovicë.









