Kryeministrja italiane Giorgia Meloni mbylli tubimin vjetor politik të partisë së saj Fratelli d’Italia në Romë duke mbrojtur arritjet e qeverisë dhe duke bërë thirrje që Evropa të forcojë kapacitetet e saj të mbrojtjes pas ndryshimeve në strategjinë e sigurisë nga Presidenti amerikan Donald Trump.
Duke folur në Castel Sant’Angelo, Meloni tha se Trump ka bërë të qartë se SHBA ka ndërmend të tërhiqet nga angazhimi ushtarak në Europë, dhe për këtë arsye, evropianët duhet të organizohen vetë për t’u mbrojtur, shkruan Euronews.
Ajo tha: “Trump e tha qartë që SHBA do të tërhiqet dhe evropianët duhet të organizohen për t’u mbrojtur: mirëdita Evropë. Për tetëdhjetë vjet ne i kemi “huazuar” sigurinë tonë SHBA-së duke bërë sikur ishte falas, por kishte një çmim që duhej paguar, dhe ai çmim quhet kushtëzim. Liria ka një çmim.”
Meloni argumentoi se Europa duhet të ndërtojë strukturat e saj të mbrojtjes, në mënyrë që të jetë në gjendje të bashkëveprojë me fuqitë e tjera botërore në kushte të barabarta.
Në këtë tubim morën pjesë edhe aleat e koalicionit qeverisës që shfaqën një front të bashkuar politik para zgjedhjeve të vitit 2027, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të partive të djathta në Itali.









