Model të anëtarësimit “hap pas hapi” për vendet e Ballkanit Perëndimor kanë propozuar pesë shtete të Bashkimit Evropian. Synimi i këtij propozimi është që këto vende gradualisht të afrohen me tregun e përbashkët evropian dhe për t’i mbajtur larg ndikimit rus në rajon.

Kështu shkroi “Euractiv” të mërkurën, sipas të cilës, pesë vende anëtare të BE-së – Austria, Çekia, Italia, Sllovakia dhe Sllovenia – i kanë bërë thirrje Komisionit Evropian të rishqyrtojë mënyrën se si i përfshin vendet aspirante të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian.

“Për të ruajtur vrullin e zgjerimit dhe për të avancuar integrimin evropian, nevojiten stimuj të fortë dhe tërheqës”, thuhet në dokumentin e pesë vendeve, të cilën e ka parë Euroactiv.

“Qasja e bazuar në meritë – nëse është e nevojshme, hap pas hapi – në tregun e përbashkët evropian përfaqëson një stimul të tillë”, shkruajnë këto vende, të cilat janë pjesë e një grupi joformal që mbështet politikisht aspiratat e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE.

Këto shtete e përshkruajnë modelin e propozuar si “integrim sistematik sektorial”, i cili nënkupton zgjerimin e gamës së programeve të BE-së ku mund të marrin pjesë vende si Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, ndërsa këto vende harmonizojnë legjislacionin e tyre me rregullat e Brukselit, kapitull pas kapitulli.

“Integrimi gradual … duhet të ndiqet në mënyrë aktive dhe sistematike sapo një vend kandidat të dëshmojë nivel të lartë përafrimi me acquis të BE-së në sektorin përkatës”, thuhet në dokument.

Aty theksohet gjithashtu se duhet të ekzistojnë mekanizma mbrojtës në rast se një shtet që gëzon qasje të veçantë në tregun e BE-së pëson regres.

Dokumenti propozon disa sektorë të rinj që mund të përfshihen, si transporti, energjia dhe tregu i energjisë elektrike, tregu unik digjital, strategjitë e konkurrueshmërisë dhe politikat për lëndët e para kritike. Gjithashtu, përmendet marrëveshja për lëvizjen e të rinjve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së si shembull i një përfitimi që mund t’u ofrohet edhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Megjithatë, Euractiv shkruan se sa i përket ambicies, dokumenti mbetet prapa ideve të propozuara nga Ferit Hoxha, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, i cili në një intervistë për Euractiv javën e kaluar sugjeroi që vendet kandidate të fitojnë status vëzhguesi në institucionet e BE-së ndërsa mbyllin kapitujt negociues.

Autorët e dokumentit i kanë bërë thirrje Marta Kos-it, Komisioneres së BE-së për Zgjerim, që të dalë me ide të reja në këtë drejtim.

“Kjo qasje do ta zgjeronte dhe forconte tregun e përbashkët, duke kontribuar në rëndësinë gjeoekonomike dhe autonominë strategjike të BE-së, ndërsa njëkohësisht do t’i afronte vendet kandidate dhe do të ndihmonte në kundërshtimin e ndikimit të vendeve të treta”, thuhet tutje në dokument.

Kosova ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2022, por që nga ajo kohë ende nuk i është dhënë statusi i vendit kandidat.