Dan Perry, ish-redaktor në Asosciated Press, i ka kushtuar një artikull Kosovës dhe miqësisë “së pazakontë” siç e quan ai të një vendi me shumicë myslimane dhe Izraelit, në të përditshmen izraelite The Times of Israel.
“Kosova mund të përfaqësojë një nga historitë më të pazakonta të suksesit të Izraelit në botën myslimane”, thotë autori, teksa nënvizon se kjo gjë mund të jetë në zbehje.
Perry portrezion Kosovën si një vend shumë pro-amerikan në të cilin identiteti fetar është më shumë kulturor se sa praktikues.
Gazetari amerikan nënvizon edhe ngjashmëritë mes Kosovës dhe Izraelit për të cilat thotë se prodhojnë një simpati të natyrshme mes dy popujve.
“Ka arsye reale për marrëdhëniet e mira që kanë mbizotëruar deri më tani. Historia moderne e Kosovës – ashtu si ajo e Izraelit – është formësuar nga çështje të njohjes, legjitimitetit, zhvendosjes dhe mbijetesës kombëtare. Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, pas shumë dhune nga të gjitha palët, dhe ekzistenca e saj vazhdon të kontestohet”, shkruan Perry.
Perry thotë, se edhe në Kosovë, mënyra se si Izraeli ka menaxhuar me luftërat në Gaza dhe në Lindje të Mesme ka dëmtuar imazhin, veçanërisht tek popullata e re.
“Ndërsa brezi që kujton vitin 1999 është një gjë, të rinjtë kosovarë nuk kanë të njëjtat kujtime. Si të rinjtë kudo, ata e përthithin politikën përmes rrjeteve sociale dhe përshtypjet e tyre formësohen më pak nga analogjitë historike dhe më shumë nga pamjet që shohin në ekran”.
Autori i ndan një kohë përshkrimit të kryeqytetit, Prishtinës, në të cilin thotë se mbizotëron rrjedhë evropiane e jetesës.
“Qyteti duket sikur funksionon me espresso, biseda dhe një ritëm të qartë shoqëror evropian. Tavolinat e jashtme mbushin trotuaret. Të rinjtë mblidhen deri vonë në mbrëmje. Baret janë plot. Restorantet shërbejnë alkool pa kufizime”.
Autori nënvizon edhe preokupimin që një shumicë e popullatës ka me drejtësinë në një vend si Kosova që jo shumë moti ka dalë nga konflikti.
“Ekziston një ndjenjë e fortë drejtësie dhe një pasiguri se cili është vendi i ndëshkimit dhe përgjegjësisë në një shoqëri pas konfliktit… Petriti vuri në dukje se më shumë kosovarë sesa serbë janë gjykuar për krime lufte, një përpjekje për të qetësuar Perëndimin që nuk konsiderohet e suksesshme”, potencon Perry.









