Dejona Mihali, i është kundërpërgjigjur ashpër kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakut, pas statusit të tij me akuza dhe pyetje drejtuar saj.

Mihali e ka sulmuar Lushtakun me akuza të rënda, duke e lidhur atë me plaçkitje, haraç, dhunë dhe gangsterizëm.

“E ti? Çka me thënë njeriu për ty? Faqja e zezë. Ngado plaçkë, haraç, dhunë, gangsterllëk, budallallëk, pisllëk”, ka shkruar ajo.

Më tej, Mihali ka vënë në pah të kaluarën e Lushtakut në luftë, duke thënë se ai vazhdon të mbështetet politikisht te ajo periudhë.

“Veç ai vit i luftës, shyqyr Zotit që e ke dhe atë”, ka shkruar ajo.

Mihali ka thënë se Lushtaku po fshihet pas deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, duke shtuar se ai po përpiqet ta mbajë partinë të bllokuar për interesat e tij personale.

“U lajmërua dhe bosi i Përpamiut, Sami Lushtaku, dora vetë. Mirë bëre. Se çdo herë po mbetesh pas shpinës së Ganimetes. Ajo e nderuara, çdo ditë kujdestari pas emrit tënd”, ka shkruar Mihali.

Mihali ka pretenduar se Lushtaku dëshiron një PDK të kontrolluar prej tij dhe se partia po mbahet peng nga interesat e ngushta politike.

Në reagimin e saj, ajo ka mbrojtur edhe babanë e saj, Aleksandër Mihalin, për të cilin Lushtaku kishte ngritur pyetje në postimin e tij. Sipas saj, ai ka jetuar dhe vepruar me nder në Shqipëri dhe nuk ka punuar kurrë kundër interesave kombëtare.