Izraeli nisi mbrëmë sulme të njëpasnjëshme ndaj Iranit, duke shënjestruar programin e tij bërthamor dhe udhëheqësit ushtarakë.

Sipas raportimeve nga mediat amerikane, në sulm u përdoren rreth 200 aeroplanë ushtarakë.

Izraeli tha se të vrarë mbetën komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare të Iranit, Hossein Salami si dhe oficeri më i lartë ushtarak i këtij shteti, Mohammad Bagheri.

 Si shenjë hakmarrje, Irani nisi mbi 100 dronë drejt territorit izraelit.

“Sulmi do të zgjasë shumë ditë…”, tha ndër të tjerash kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Ndërkohë që shumë shtete kanë reaguar mbi zhvillimet atje, SHBA tha se nuk është e përfshirë në asnjë lloj forme në veprimet e Izraelit.

Para sulmit, presidenti amerikan Donald Trump tha se nuk do të donte që Izraeli ta synonte Iranin gjersa negociatat e SHBA për një marrëveshje bërthamore vazhdojnë.