Dogana e Kosovës ka konfirmuar se më 23 mars 2026, gjatë verifikimeve zyrtare për një kontingjent derivatesh, një menaxher i saj është kërcënuar nga përfaqësuesi i autorizuar i një kompanie që operon në tregtimin me shumicë dhe pakicë të naftës.

Sipas komunikatës, gjatë kontrollit janë evidentuar “elemente të dyshimta në dokumentacion”, përfshirë parametrat e transaksionit dhe vlerën që shërben si bazë për përllogaritjen e detyrimeve doganore.

Dogana ka lënë të kuptohet se kërcënimi ka ardhur pikërisht në momentin kur zyrtarët kanë insistuar në verifikime të plota dhe në zbatim strikt të ligjit.

“Çdo përpjekje për të frikësuar, penguar apo ndikuar në zyrtarët doganorë gjatë ushtrimit të detyrës përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit ligjor dhe autoritetit të shtetit”, thuhet në reagimin zyrtar.

Institucioni ka qenë i prerë se “kërcënime të tilla janë absolutisht të papranueshme dhe nuk do të tolerohen në asnjë rrethanë”, duke bërë të ditur se rasti tashmë është dërguar në organet kompetente.

Dogana pret “veprim të menjëhershëm, të plotë dhe të paanshëm” nga organet e ndjekjes, në mënyrë që përgjegjësit të përballen me ligjin.

Rasti vjen në një kohë kur tregu i naftës është nën vëzhgim të shtuar publik, pas rritjes enorme të çmimeve në këtë sektor.