Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pasi anëtari i Vetëvendosjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, ka penguar fizikisht gazetarin e VOX Kosova, Valon Rashiti. Gjersa ky i fundit tentonte t’u bënte pyetje anëtarëve të KQZ-së, Kurteshi iu drejtua me tone të ashpra brenda institucionit publik gazetarit, me fjalët “largoni këta”, “po bëjnë shpifje”, “ulu në vendin tënd dhe mos dilni këndej”, “s’ka asnjë pyetje”. Madje, në një moment edhe e kapi për krahu gazetarin Rashiti.
“AGK-ja është e shokuar me sjelljen agresive dhe dënon ashpër cenimin fizik të gazetarëve nga ana e anëtarit të Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi. Kjo sjellje është e papranueshme dhe AGK i bën thirrje KQZ-së që të ofrojë kushte për raportim të papenguar të gazetarëve”, thotë AGK në reagim.
AGK ka rikujtuar faktin se Sami Kurteshi është recidivist në sulmet ndaj gazetarëve dhe sipas tyre “Vetëvendosje duhet të ndalojë këtë praktikë”.
Pamjet e sjelljeve jo normale të Kurteshit, VOX Kosova do t’i publikojë pas pak.








