Në diskutimin në lidhje me dyshimet për vjedhje të votave në Mitrovicë, për të cilat është aktivizuar edhe Prokuroria, është përfshirë edhe Dejona Mihali, koordinatore e komiteteve në Vetëvendosje. Përmes një gjuhe të ashpër, ajo u është referuar si “jo-njerëzorë” zyrtarëve të PDK-së, për të cilët tha se “mashtrojnë, shpifin, sulmojnë e cenojnë shtetin”.

“Krerët e PDK, anëtari i PDK në KQZ dhe strukturat drejtuese në Mitrovicë e dinë saktë që nuk ka pasur asnjë manipulim. Por ata moti e kanë kaluar vijën e kuqe të të qenit njerëzor. Ata mashtrojnë, shpifin, sulmojnë, cenojnë shtetin, integritetin e institucioneve vetëm për të shpëtuar atë pak pushtet që ju ka mbetur dhe brenda PDK-së. Kështu kanë bërë dhe me vet shtetin 12 vjet që ishin në pushtet”, shkroi mes tjerash ajo në një postim në Facebook.

Përndryshe, nga nata e djeshme në Mitrovicë është ndërprerë numërimi. Atje ka dyshime për manipulim dhe vjedhje të votave. Konkretisht, janë gjendur fletëvotime me numra serik që nuk i përkasin kutive dhe klasave nga ku janë marrë. Për rrjedhojë janë aktivizuar organet e drejtësisë, ndërkaq që me urdhër të Prokurorisë sot atje do të fillojë rinumërimi.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila garoi në këto zgjedhje në Mitrovicë me kandidatin Arian Tahiri, ka kërkuar rivotim.