“Do të ishte në nderin tonë me e kthy të paktën për një ditë në Presidencë”, ka thënë ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kur është pyetur se a është real propozimi për Hashim Thaçin për President, propozim që ai vetë e bëri para disa javësh.

“Tani dy procese po ndodhin në kohë të njëjtë. Procesi i afateve këtu, por edhe një afat kohor i caktuar për vendimin në procesin kundër çlirimtarëve në Hagë. Është në nderin e Kosovës. Jo për shkak ndonjë veç miqësie personale, simpatie ose…”, tha Haradinaj në emisionin Rubikon që transmetohet në Klan Kosova.

Haradinaj përmendi edhe dallimet që ka pasur me Thaçin në të kaluarën, por aktualisht, ai insiston që do të ishte në nder të Kosovës kthimi i tij në Presidencë.

“Kam pas thymjet e mia edhe dallimet. Mund t’i kemi edhe pas ardhjes. Mirëpo, është në nderin institucional të Kosovës. Ai është marrë nga posti, nga përgjegjësia e Presidentit, për shkak të një rasti ligjor. Ai rast është mbyllë. Do të ishte në nderin tonë me e kthy të paktën për një ditë në Presidencë”, potencoi ai.

“A rri ai a nuk rri është çështje e tij, se nuk e di qysh e ka vullnetin, ndoshta edhe nuk do. Por, Kosova e ka borxh, me i thanë prej këtu ke shku, kthehu këtu një herë. Pastaj, sa rri, si do, gara e brendshme politika vazhdon, por kthehu në këtë vend një herë”, shtoi ai.

Kthimi i Thaçit si President, Haradinaj vlerëson se “është në nderin tonë edhe si komb”. “Do ta dëshmonim edhe një vetëdije të ngritur kombëtare edhe institucionale”.

Propozimi i Haradinajt vjen disa ditë para 16 shtatorit, datës kur Gjykata Speciale do të shpallë aktgjykimin për Thaçin dhe të tjerët, të cilët po gjykohen për krime të pretenduara lufte.